Certifikata Covid detyrim për punëtorët italianë, shpërthejnë protesta në disa zona

Duke filluar nga kjo e premte Certifikata shëndetësore COVID-19, është bërë e detyrueshme për të gjithë punëtorët në Itali. Me këtë certifikatë, të gjithë atyre u kërkohet të dëshmojnë se janë vaksinuar kundër sëmundjes, janë shëruar nga infeksioni, ose kanë rezultuar negativë ndaj tij. Më shumë se 85% e italianëve të moshës mbi 12 vjeç kanë marrë së paku një dozë të vaksinës anti-COVID, por rreth tre milionë punëtorë vlerësohet se janë ende të pavaksinuar. Një punëtor pa të rrezikon të pezullohet nga puna pa pagesë dhe mund të gjobitet deri në 1,500 euro. Sipas një sondazhi të kryer nga qendra Ipsos, dy të tretat e italianëve konsiderojnë se certifikata e tillë është e nevojshme. Megjithatë, kundërshtarët kanë organizuar protesta në Romë, më 9 tetor, ndërsa tubime të tjera priten edhe gjatë ditës së sotme. Italia e ka bërë të detyrueshme certifikatën për mësuesit dhe punonjësit e tjerë të sektorit publik qysh më herët, ndërsa punonjësve të kujdesit shëndetësor u është kërkuar vaksina qysh në prill. Certifikata kërkohet për hyrjen edhe në bare, restorante, kinema dhe stadiume futbolli.

%d bloggers like this: