Respektoni vlerat e BE/ Parlamenti Evropian miraton me kusht paketën e ndihmës për vendet e Ballkanit dhe Turqinë

Deputetët e Parlamentit Evropian, në seancë plenare, miratuan paketën e re shumëvjeçare financiare prej 14,2 miliardë euro për shtatë shtetet e përfshira në procesin e zgjerimit të BE-së. Këto mjete financiare do të ndahen për Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Kosovën, Malin e zi, Serbinë dhe Turqinë për një periudhë shtatëvjeçare deri në vitin 2027.

Ato synohet të ndihmojnë këto vende që të kryejnë reformat e kërkuara në procesin e para anëtarësimit.

Por, risi kësaj radhe është rritja e rolit të Parlamentit Evropian për të kontrolluar shfrytëzimin e këtyre mjeteve dhe mundësia që ato të zvogëlohen, apo edhe të pezullohen, për ato shtete të cilat nuk do të respektojnë parimet e sundimit të ligjit.

“Qëllimi i përgjithshëm i instrumentit të paraanëtarësimit IPA 3, është të mbështeten këto vende në miratimin dhe zbatimin e reformave politike, institucionale, ligjore, administrative, sociale dhe ekonomike për tu përshtatur me vlerat e BE-së dhe gradualisht të inkuadrohen me ligjet, standardet dhe politikat e BE-së”, thuhet në komunikatën e Parlamentit Evropian ku njoftohet për vendimin për të dhënë pëlqimin për këtë paketë financiare.

Parlamenti kësaj radhe e ka bërë të qartë se nuk do të hezitojë që të pezullohet ndihma e cila do të kushtëzohet me sundimin e ligjit nga këto vende kandidate dhe kandidate potenciale.

“Ky fond, mund të zvogëlojë apo pezullojë asistencën nëse respektimi i vlerave themelore – demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimi i ligjit shënon përkeqësim. Si pësojë, shfrytëzimi i fondeve nga instrumenti evropian i paraanëtarësimit do të kushtëzohet me respektin e këtyre vlerave nga ana e shtetit përkatës”, ka paralajmëruar Parlamenti Evropian,  i cili ka bërë me dije se do të jetë në kontakt të përhershëm edhe me Komisionin Evropian për të mbikëqyrur se si shpenzohen këto mjete.

BE-ja është në fazë në të cilën edhe përdorimi i mjeteve financiare për vet vendet anëtare nga politika e kohezionit do të kushtëzohet me respektimin e parimeve të sundimit të ligjit. Prandaj një qasje e tillë do të jetë edhe për vendet nga procesi i zgjerimit.

Propozimi për 14,2 ,miliardë euro për vendet e zgjerimit ishte dhënë para dy vjetësh. Por, procedura ka zgjatur deri tani brenda institucioneve të Bashkimit Evropian.

%d bloggers like this: