Radhë kilometrike/ Qindra shqiptarë të Kosovës bllokohen në Morinë, masat e reja i lënë në rrugë

Prej ditësh situata në pikën kufitare të Morinës vijon të jetë kaotike, si pasojë e radhë të gjata kilometrike të krijuara nga automjetet që udhëtojnë drejt shtetit tjetër shqiptar, Kosovës. Qindra qytetarë janë bllokuar në pikën kufitare të Morinës pasi rregullat e reja për të hyrë në Kosovë e kanë vështirësuar punën në doganë. Mësohet se 12 kilometra rrugë është e mbushur me mjete me qytetarë, familjarë, gra e fëmijë që duan të kthehen në shtëpitë e tyre në Kosovë pas pushimeve disa ditore të kaluara në bregdetin shqiptar.  Për të hyrë në territorin kosovar, qytetarët duhet të paraqesin një test negativ të PCR-së, vërtetim vaksinimi ose dëshmi se e kanë kaluar koronavirusin, ndryshe atyre do t’u duhet të karantinohen shtatë ditë. Pikërisht kjo ngarkesë dokumentash ka bërë që për pesë ditë me radhë në Morinë fluksi i kalimit të mjeteve të jetë më i madh.Të sfilitur nga pritja shumë udhëtarë janë detyruar të zbresin nga mjetet dhe të dalin në rrugë. Të tjerë kanë nisur që t’u bien edhe borive në shenjë proteste nga pritja e gjatë. Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë këto masa kufizuese, me qëllim ndalimin e përhapjes së Covid-19 në vend, i cili po merr çdo ditë e më shumë jetë njerëzish dhe po infekton mijëra të tjerë.

%d bloggers like this: