OBSH TREGOHET PESIMISTE VAKSINIMI NUK DO TË SJELLË FUNDIN E PANDEMISË, SHKAK VARIANTET E REJA SHUMË TRANSMETUESE

 

Megjithëse autoritetet në mbarë botën janë angazhuar në sensibilizimin e popullsisë për vaksinimin anti-covid, Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk është e bindur se vaksinimi do t’i japë fund pandemisë. Variantet e reja të virusit, sipas OBSH-së, po zbehin shpresat për arritjen e imunitetit të tufës.
Duke marrë parasysh faktin se virusi mund të jetë prezent për shumë vite, kreu i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, tha se mbase zyrtarët shëndetësorë duhet të planifikojnë një përshtatje të strategjisë së vaksinimit në veçanti kur bëhet fjalë për një dozë shtesë të vaksinës.
Në muajin maj OBSH-ja pati thënë se “pandemia do të përfundojë kur të arrihet vaksinimi i 70 për qind të popullatës së botës”.
I pyetur nga Agjencia e lajmeve AFP, nëse kjo përqindje mbetet ende një pikësynim i organizatës, zyrtari i OBSH-së tha se situata ka ndryshuar për shkak të varianteve të reja, siç është Delta.
“Unë mendoj se kjo na çon në atë pikë ku qëllimi i vaksinimit është para së gjithash për të parandaluar sëmundje më serioze dhe vdekshmërinë”, tha ai.
“Në duhet të përshtasim gradualisht strategjinë e vaksinimit nëse e marrin parasysh faktin se COVID-19 do të vazhdojë të ndryshojë dhe të mbetet me ne, ashtu siç është gripi”, shtoi ai.
Pavarësisht faktit se vaksinat mbeten vendimtare për të kontrolluar pandeminë, epidemiologët tani thonë se nuk është shumë realiste që imuniteti i tufës të arrihet vetëm përmes procesit të imunizimit.
Varianti Delta vlerësohet të jetë 60 për qind më i transmetueshëm se varianti dominues i mëparshëm Alpha, dhe dy herë më ngjitës se virusi origjinal i koronavirusit i zbuluar në Vuhan të Kinës.
Sa më ngjitës të jetë virusi, aq më i lartë është kufiri për arritjen e imunitetit të tufës.

%d bloggers like this: