SHBA do t’u kërkojë vizitorëve dëshmi vaksinimi/ Gjermania e Franca s’i përgjigjen apelit të OBSH

Hapje me faza për vizitorët. Sipas disa agjencive mediatike, ky është plani në vijim i administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat po përballen me rritjen e numrit të të infektuarve, kryesisht tek personat e pavaksinuar, e ndërkohë po përhapet variant Delta i koronavirusit.

Rihapja e vendit me faza sugjerohet kur për momentin masat aktuale kundër koronavirusit ua pamundësojnë shumicës së udhëtarëve që të hyjnë në SHBA.

Raundi i parë i kufizimeve në udhëtim ka nisur të zbatohet ndaj Kinës në janar të vitit 2020. Që atëherë, SHBA-ja ka vendosur ndalesë për shtetasit joamerikanë, që kanë vizituar së fundmi, Mbretërinë e Bashkuar, bllokun e vendeve të zonës Shengen në Evropë, Brazilin, Irlandën, Indinë, Iranin dhe Afrikën Jugore. Ata që mund të hyjnë në SHBA, duhet të tregojnë dëshmi të një testi negativ për koronavirus, jo më të vjetër se tri ditë para udhëtimit.

Javën e kaluar, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të zbatojnë “kufizimet ekzistuese” për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, pavarësisht kundërshtimeve të kompanive ajrore dhe industrisë së turizmit.

Ndërkohë përkundër thirrjes së OBSH, Gjermania dhe Franca do të japin doza përforcuese të vaksinave kundër koronavirusit nga muaji shtator.

Presidenti francez, Emmanuel Macron bëri me dije se Franca është duke punuar për të dhënë dozën e tretë të vaksinës për të moshuarit dhe ata që janë më të cenueshëm ndaj sëmundjes COVID-19, që shkakton ky virus.

Edhe Gjermania synon të japë doza përforcuese për personat më të moshuar dhe ata që jetojnë në shtëpi kujdesi, nga muaji shtator, sic ka informuar Ministria e Shëndetësisë në këtë vend.

Këto lajme vijnë kur vetëm dy ditë më parë, Shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus, bëri thirrje për të mos dhënë dozat përforcuese të paktën deri në shtator, duke thënë se është e papranueshme që shtetet e pasura të kenë më shumë doza vaksinash.

Gjermania ka hedhur poshtë këto akuza, duke thënë se do të ndajë donacione prej rreth 30 milionë dozave të vaksinave për vendet e varfra.

Qeveria e Macronit, ndërkaq, është duke tentuar të rrisë shkallën e vaksinimit teksa Franca përballet me valë të katërt të pandemisë, si dhe protesta në rrugë kundër politikave qeveritare ndaj krizës me koronavirus.

Deri më tani, 49 për qind e francezëve dhe 53 për qind e gjermanëve janë të vaksinuar plotësisht kundër COVID-19.

%d bloggers like this: