Nga Basir Çollaku/ Afgani Rama i Ballkanit të Shqyer, e do tokën e Shqipërisë pa shqiptarë…

Nga Basir Çollaku

Paska bërë hallexhiu ynë kryeministër, një hartim të gjatë shfajësues duke u vetëshitur shpëtimtar, si çelësi i zgjidhjes së telasheve globale.

Përpjekja e gjatë leksikore e tij, për të shkoqitur një gjë të shkurtër, është tregues elitar i mashtrimit bredharak nga dega në degë.

Ishin sipas shpjeguesit Rama, ujgurët e shkretë, muxhahedinët e shkretë, e tani afganët e shkretë. Ky folës dredharak, shkretues i Shqipërisë dhe shqiptarëve në motet e sundimit të tij, po hiqet i pikëlluar, ndaj shpall vendimin se nuk do të pyesë kërrkënd, por do të hapë i vetëm dyert e shtëpisë së përbashkët.

Njeriu kryeministër, ka histori dështimi të jetës së tij në marrëdhëniet me prindër, fëmijë, bashkëshorte, një grumbull dëshmish dhune e përjashtimi. Sot paska kaluar ylberin e sjelljes, e është shfaqur thua e kanë zgjedhur si një “Babë Terezë”.

Në vende ku demokracisë i punojnë akrepat, vendime të rëndësishme përtej zgjedhore, kuvendohen me qytetarët.

Nuk ka dijeni shtatshkretësia e tij se sirianë, apo lindorë të tjerë të strehuar nga xhymertësia e tij bredhin dhunshëm rrugëve të Tiranës. Madje janë bërë adresa rrisku për qytetarë, të cilët sulmohen udhëve. Pasi po i shkërmoqet Ballkani i Shqyer, Rama kërkon në internet çdo vatër problemesh globale dhe vetëofrohet për qoka, mjaft t’i kthehet në mbështetje për të zgjatuar kohën e të ndenjurave në zyrën e zaptuar prej tij të qeverisë. Merr përsipër vyrtytet e shqiptarëve, për të marrë qeranë e trashëgimisë së një kombi, duke u vetëinvestuar në shkombëtarizim tonë, më tepër se asnjë parardhës apo pasardhës i mundshëm. Sevdalliu serb kërkon të mënjanojë llogaridhënien për mëkate të pafundme penale të bëra nga vetë ai dhe ushtria e tij e eunukëve. Këtë përpiqet ta bëjë me kapërcime ngjarjesh tej kufijve, ndonëse na ka izoluar ngjashëm me diktatorin. Kjo nuk është histori dhembshurie. As derëhapje një halli, të pazgjidhshëm kurrkund tjetër, nga dyer të mëdha të Evropës e Botës. Afganët nuk mund të përdoren si pasaportë për zgjatje afati të mandatit të vjedhur si talebanët. Projektuesi i talebanizmit elektoral të zgjedhjeve të 25 prillit, nuk mundet të bëhet shpëtimtar i viktimave të talebanëve në Afganistan. Ka shndërruar viktimë një popull, ka përzënë 500 mijë shtetas në një mandat, pastaj qënkërka prekur për ikanakët hallexhinj. Ka nisur aksionin të bangladeshizojë vendin, për të kuruar urinë financiare të miqve të tij bashkëplaçkitës. Sulmon turpësisht vëllezërit e Kosovës, kur është i mjaftpërqafuar me Vuçiç dhe shpreson të sulltanojë kudo. Ky është menaxher hallesh me pagesë dhe pushtet. Asnjë sekond nuk bën asgjë as falas as pa përfitim. Çdo përpjekje për ta lyer fasadën e rrënuar të KM dhe qeverisë është histori parash e pushteti të vjedhur. Sjellja teveqele e KM, me doza të rënda rrugaçi, hap shtegun e noterizimit të vjedhjeve të radhës. Receta tabu, se janë amerikanët, e duan amerikanët, kemi detyrime si pjesë e Aleancës, janë rigon me gaz, me zhurmë. Dje nga Irani, Kina, sot Afganistani, nesër Sierra Leone. Kur të flasë me mendjen, nëse i kthehet në kokë, afgani Rama, muxhahedini Rama, ujguri Rama, do të pyesë edhe për shqiptarët ndonjëherë. Sepse ai e do thjesht tokën e Shqipërisë ta përdorë pa shqiptarë brenda.

 

%d bloggers like this: