Kurti mesazh Ramës/ Kur të lidhemi fort me njëri-tjetrin, mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk iu përgjigj drejtpërdrejt sulmit më të fundit të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama mbi kundërshtitë për nismën “Ballkani i Hapur”.

Ai dërgoi një mesazh në Shkup, aty ku Rama, Vucic dhe Zaev pasi shëtitën së bashku i vunë emrin e ri nismës së vjetër.

“Mesazhi që dua të jap sot është ai i të qenit pranë njëri-tjetrit, me projekte të përbashkëta, me koordinim dhe me punë. Vetëm kur të lidhemi fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar”.

Kështu është shprehur Kurti në një mesazh drejtuar pjesëmarrësve të konferencës “Kauzat shqiptare – para dhe pas Hasan Prishtinës”, organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, në 100-vjetorin e Hasan Prishtinës si kryeministër i Shqipërisë.

Ndërsa nuk mori pjesë fizikisht, në mesazhin për konferencën, Kurti theksonte se kahja jonë si shqiptarë është perëndimi, aleatët tanë janë ShBA dhe BE, aspirata jonë legjitime është barazia me popujt e tjerë të Ballkanit dhe bashkimi paqësor e demokratik kombëtar, e detyra jonë më emergjente është që të luftojmë korrupsionin dhe t’i hapim rrugën zhvillimit ekonomik.

“Rajoni fiton siguri dhe stabilitet afatgjatë vetëm nga dënimi dhe izolimi i kriminelëve, dhe askush nga politikanët shqiptarë nuk duhet të bashkëpunojë me krimin. Kohë të mira po vijnë për shqiptarët por edhe për fqinjët tanë, sepse partnerët tanë të mëdhenj janë më të vendosur se kurrë për të na ndihmuar në luftën tonë për drejtësi e demokraci, por edhe kundër ndikimeve negative ruso-kineze në qytetet e në shtetet tona, por edhe në rajon. Jam i sigurt se shqiptarët, në të gjitha shtetet ballkanike ku jetojmë e veprojmë, nuk do ta humbim këtë moment të rëndësishëm historik”, është shprehur Kurti.

Sa i takon tematikës së konferencës, ndërsa e cilësoi Hasan Prishtinën-ish-kryeministër të Shqipërisë, si një figurë të spikatur të historisë, kreu i qeverisë së Kosovës, ka sjellë në vëmendje kontributin e Shkupit dhe shqiptarëve të Maqedonisë për çështjen kombëtare, ndërsa premtoi se do të jetë i pranishëm si pjesëmarrës në ceremoninë e përurimit të Bulevardit “Hasan Prishtina” në Shkup.

 

%d bloggers like this: