Katastrofa mjedisore/ Turqia raporton për 27 persona të vdekur nga vërshimet

Nga dita e mërkurë, Turqia veriore po përballet me përmbytje të mëdha dhe rrëshqitje dherash. Të paktën 27 persona kanë vdekur si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm që kanë shkaktuar vërshime në disa qyteza në rajonin e Detit të Zi në Turqi, ka thënë agjencia për emergjenca të premten. Kjo është katastrofa e dytë natyrore me të cilën po përballet Turqia këtë muaj. Vërshimet kanë shkaktuar kaos në provincat veriore, teksa autoritetet kanë qenë duke vënë nën kontroll zjarrret pyjore në brigjet jugore.

Agjencia për emergjenca ka thënë se 25 persona kanë vdekur si pasojë e vërshimeve në provincën Kastamonu dhe dy të tjerë kanë vdekur në Sinop. Kërkimet kanë vazhduar edhe për një person të zhdukur në provinën Bartin. Vërshimet dhe zjarret, që kanë lënë të vdekur tetë persona, kanë shkatërruar dhjetëra mijëra hektarë të pyjeve. Më shumë se 1,700 persona janë evakuuar nga zonat e prekura, disa me ndihmë të helikoperëve dhe barkave. Helikopterët kanë ulur personelin në kulmet e ndërtesave për të shpëtuar njerëzit, të cilët janë bllokuar pasi shirat i kanë bërë rrugët të paqarkullueshme. Si pasojë e vërshimeve është thënë se 330 fshatra kanë mbetur pa energji elektrike. Pesë ura janë shembur dhe shumë të tjera janë dëmtuar, ka thënë agjencia për emergjenca, derisa pamjet televizive kanë shfaqur shumë makina të shkatërruara nëpër rrugë.

%d bloggers like this: