Borrell dhe Varhelyi kërkojnë dënimin e gjenocidit në Srebrenicë

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe komisionari për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi kanë përkujtuar 26 vjetorin e masakrës së Srebrenicës.

Ata kanë theksuar se përpjekjet për të rishikuar historinë janë të papranueshme.

“Gjykatat ndërkombëtare, gjykatat e brendshme në Bosnje dhe Hercegovinë dhe vendet fqinje duhet të vazhdojnë të ofrojnë drejtësi për të gjitha viktimat e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit, si dhe për familjarët e tyre. Paqja mund të ndërtohet vetëm mbi drejtësinë”, thanë Borrell dhe Varhelyi.

Dy zyrtarët po ashtu thanë se Evropa nuk e ka harruar përgjegjësinë e saj për dështim në parandalimin e gjenocidit në Srebrenicë.

“Nuk mund të ketë mosndëshkueshmëri – gjenocidi është gjenocid, qoftë i kryer në Srebrenicë apo gjetkë”, thanë ata.

Në Bosnje dhe Hercegovinë shënohet sot 26-vjetori i masakrës, e cila është cilësuar si më e rënda në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se këto vrasje kanë përbërë gjenocid.

%d bloggers like this: