Qeveria e re e Malit të Zi/ Prorusë e proserbë qeverisin me “E zezë në të bardhë”

Koalicioni i ardhshëm qeveritar në Mal të Zi u përcaktua nga bashkimi i grupimit politik “E zezë në të bardhë” me partitë e opozitës me qasje proserbe e proruse.Revanshi i forcave politike deri më tani në opozitë u vu re në manifestimet pas publikimit të rezultatit të zgjedhjeve, por liderët politikë bënë thirrje për vetëpërmbajtje.

Në një komunikim të posaçëm me mediat, udhëheqësi i koalicionit zgjedhor “E zeza në të bardhë”, Dritan Abazoviq, me kombësi shqiptare, tha se nuk ka kompromis me interesat kombëtare të Malit të Zi dhe se ky vend mund të zhvillohet vetëm si shtet qytetar, i orientuar për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian sa më shpejt që të jetë e mundur.

Po kështu, Abazoviq theksoi se statusi i anëtarit në NATO dhe pavarësia e Malit të Zi janë çështje të padiskutueshme.

“Nga këto postulate nuk do të lëvizet asnjë milimetër. Kush nuk e do një shtet të tillë, nuk mund të jetë partner i koalicionit ‘E zeza në të bardhë’. Mali i Zi nuk do të bëhet kurrë Sparta Serbe, as krahinë e Shqipërisë së Madhe, as e Serbisë së Madhe, as e ndonjë shteti tjetër”, deklaroi Abazoviç.

Vlen të përmendet fakti se, një nga anëtarët e koalicionit opozitar “Për ardhmërinë e Malit të Zi”, Fronti Demokratik që, sipas rezultateve paraprake, ka fituar shumicën e mandateve, jo vetëm ka kundërshtuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, por ka paralajmëruar edhe rishikimin e kësaj çështjeje kur të marrë pushtetin.

Pavarësisht qëndrimeve të mëparshme të partnerëvë në koalicion, Dritan Abazoviq, udhëheqës i grupimit “E zezë në të bardhë”, i pyetur nga radio Evropa e Lirë, e ka përjashtuar mundësinë e ridiskutimit të detyrimeve ndërkombëtare.

“Këto janë obligimet tona ndërkombëtare. Nuk mund të ndërtojmë një shtet serioz dhe të mos jemi seriozë në politikën ndërkombëtare. Kjo nuk do të ndodhë derisa të pyetet ky koalicion. Kjo çështje është më e theksuar në Mal të Zi sesa në bashkësinë ndërkombëtare”, tha Abazoviq, për të shtuar se nuk do të ketë ndryshime në kursin e politikës së jashtme, por vetëm përmirësime të segmenteve në politikën e jashtme.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, dhe komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, thanë se zgjedhjet në Mal të Zi janë mbajtur në atmosferë të qetë dhe konkurruese dhe se janë në pritje të konstituimit të kuvendit të ri dhe formimit të një qeverie të re, që do të vazhdojë rrugën e Malit të Zi drejt BE-së.

Dy zyrtarët e lartë evropianë konfirmuan se BE-ja është plotësisht e angazhuar për të vazhduar mbështetjen e procesit të pranimit të Malit të Zi në BE, si dhe për rimëkëmbjen e tij ekonomike pas pandemisë COVID-19.

Mali i Zi është vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që ka nisur negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian, në qershor të vitit 2012.

%d bloggers like this: