Mal i Zi, Gjukanoviç: Është ringjallur projekti serbomadh

Presidenti malazez Milo Gjukanovic ngre alarmin se është ringjallur projekti serbomadh.

Në një intervistë për televizionin publik austriak ORF, Gjukanovic tha se ky projekt synon që t’i sigurojë Serbisë njëfarë kompensimi për humbjen e Kosovës.

“Këtë mbase e kuptojmë të gjithë. Shumë herë e kemi përmendur këtë rrezik gjatë viteve të kaluara, duke mos e theksuar kurrë interesin e Malit të Zi në plan të parë”, është shprehur kreu i shtetit malazez.

E ndërsa partia DPS, i ka pranuar rezultatet jozyrtare zgjedhore, duke ua uruar fitoren rivalëve, Gjukanovic thotë se megjithatë nuk pret ndonjë ndryshim, pasi procesi të finalizohet në tërësi.

I pyetur për flamujtë serbë në festimet e opozitës pas zgjedhjeve dhe ndikimit të rezultateve zgjedhore në raportet midis Serbisë dhe Malit të Zi, presidenti malazez tha se kjo ikonografi ka qenë e pritshme për këdo që ka ndjekur në vijimësi zhvillimet në Ballkan.

“Ka vite që ne i kemi paralajmëruar partnerët tanë evropianë, euro-atlantikë dhe opinionin në tërësi se jo vetëm në Mal të Zi, por edhe më gjerë, po përballen dy vizione të së ardhmes. Një nga këto është vizioni i mbështetur nga Mali i Zi, ai i së ardhmes evropiane të Ballkanit. E në anën tjetër, është politika e nacionalizmit ekstrem, ajo që në vitet nëntëdhjetë solli luftëra.

Sipas presidentit Gjukanovic, se ka plot ndërhyrje nga jashtë në Ballkanin Perëndimor, që e kundërshtojnë zgjerimin e NATO-s, e në esencë edhe të Bashkimit Evropian në Ballkan. “Porositë nga Moska u kanë dhënë zemër politikave të kahmotshme në rajon.Kështu pra sot, ashtu si po e shohim, u ringjall projekti serbo-madh”, deklaroi presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanovic.

%d bloggers like this: