Shpërthim i fuqishëm në Bejrut të Libanit, dhjetëra të plagosur e dëme materiale

Një shpërthim i fuqishëm e ka goditur kryeqytetin e Libanit, Bejrut, para se të shpallet aktgjykimi për vrasjen e ish-kryeministrit, Rafik Hariri.

Vrasja e tij kishte ndodhur më 2005.

BBC raporton se shpërthimi ndodhi në zonën e portit të qytetit. Autoritetet thonë se mund të ketë shumë viktima.

Ministri i shëndetësisë në Liban ka thënë se ka shumë të lënduar dhe dëme të mëdha.

Shkaku i shpërthimit nuk është ende i qartë.

Të premten një gjykatë e Kombeve të Bashkuara pritet të nxjerrë aktgjykimin e saj ndaj katër të dyshuarve për vrasjen me makinë bombë të ish-kryeministrit Hariri.

Të katër të dyshuarit janë anëtarë të grupit Hezbollah, që ka mbështetjen e Iranit, i cili vazhdimisht ka mohuar çdo rol në vdekjen e Haririt.

Libani është i përfshirë nga tensionet politike. Gjatë periudhës së fundit janë organizuar demonstrata kundër qeverisë duke kërkuar përmirësimin e situatës më të rëndë ekonomike që nga lufta civile 1975-1990./REL

%d bloggers like this: