Garë e ngushtë në Malin e Zi, dalin rezultatet paraprake

Bazuar në 98.55 për qind të mostrës së përpunuar të materialit zgjedhor, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Mal të Zi njoftoi të hënën rezultatet paraprake të zgjedhjeve, sipas të cilave, Partia Demokratike e Socialistëve, e udhëhequr nga presidenti Millo Gjukanoviq, ka fituar 35.12 për qind të votave, ndërsa koalicioni opozitar “Për ardhmërinë e Malit të Zi” 32,54 për qind të votave.

Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi u mbajtën të dielën, me një pjesëmarrje prej më shumë se 75% të qytetarëve.

Sipas rezultateve të KSHZ-së, koalicioni “Paqja është kombi ynë” ka siguruar 12.55 për qind të votave, “E bardha në të zezë”, 5.57, Socialdemokratët 4.09, Partia e Boshnjakëve 3.81, Partia Social-Demokrate 3.14, Lista Shqiptare 1.61 dhe koalicioni shqiptar “Bashkë nji za” 1.16.

Nisma Qytetare Kroate dhe Partia Kroate e Reformës nuk e kanë kaluar pragun.

Pas gati tri dekadash në pushtet, Partia Demokratike e Socialistëve në Mal të Zi, e cila udhëhiqet nga presidenti pro-perëndimor i këtij vendi, Millo Gjukanoviq, përballet me mundësinë e humbjes në zgjedhje.

Shanset për të fituar pushtetin i kanë partitë opozitare që i lidh nacionalizmi serb dhe orientimi pro-rus.

Zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi u mbajtën të dielën, me një pjesëmarrje prej më shumë se 75% të qytetarëve.

Rreth katër orë pas mbylljes së vendvotimeve, Gjukanoviq iu drejtua mbështetësve në Podgoricë, duke thënë se partia e tij do t’i pranojë rezultatet zgjedhore, porse do të presë rezultatin përfundimtar të Komisionit Shtetëror Zgjedhor./ REL

%d bloggers like this: