Dosja “Oktapodi” 4/ Diplomat e paligjshme, Shahini mbron veten apo Nikollën

Nga Basir Çollaku

Dokumenti/ Si u vu në dijeni të shkeljeve Ministrja e Arsimit

Minsitrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini është vënë në dijeni se, me diplomat po kryhen paligjshmëri dhe korrupsion, nga Fakulteti Ekonomik dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore. Por reagimi i saj për të ndërprerë këtë aktivitet, ka munguar.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini, me shumë gjasa, deri para disa muajsh, nuk ka qenë në dijeni të diplomave të paligjshme të Fakultetit të Ekonomisë dhe të numrave të matrikullimit që lëshonte institucioni në varësi direkte të saj (QSHA) Qendra e Shërbimeve Arsimore).

Nga investigimet tona, ka rezultuar se ajo është vënë në dijeni si kreu i institucionit më të lartë përgjegjës për arsimin shqiptar, sipas ligjit 80/2015,  nga Rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni me datë 19 Dhjetor 2019 me shkresën me numër protokolli 5371/4, mbi shkeljet ligjore në matrikullimet e Fakultetit të Ekonomisë të UT për vitin akademik 2017-2018, si dhe në matrikullimet për vitin akademik 2018-2019.

Rektorati, me 19 dhjetor 2019, me shkresën nr 5371/4 drejtuar zonjës Shahini, ndër të tjera thotë se; “Universiteti i Tiranës, i është drejtuar disa herë Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe Fakultetit të Ekonomisë, të ndërpresin këto procedura të jashtëligjshme, por institucionet e përmendura, kanë vijuar në paligjshmëri duke bërë që të dhënat të mos kalojnë për verifikim procedurial dhe përmbajtësor pranë strukturave të Rektoratit, çka ngre dyshime serioze për përmbajtjen, saktësinë dhe vlefshmërinë e tyre dhe lë hapsirë për abuzim të mundshëm dhe korrupsion..”  Kjo ka sjellë një pamundësi diplomimi për studentët e programeve master, pasi nuk kanë kaluar në filtrat ligjorë të verifikimit. Për më tepër, theksohet se edhe printimi i kartonëve të diplomave, bëhet në mënyrë abuzive, pasi të dhënat e studentëve nuk janë dërguar nga dekani në Rektorat, si autoritet përgjegjës, por nga administratorët e Fakultetit Ekonomik dhe të UT.

Siç lexohet edhe në kopjen e shkresës që Shijak Televizion ka siguruar për këtë çështje, Rektorati e ka vënë në dijeni ministren se, Qendra e Shërbimeve Arsimore, që është institucion direkt në varësi të ministres Besa Shahini, ka pajisur me numra matrikullimi lista studentësh nga Fakulteti i Ekonomisë i UT, të pa verifikuara, të pa kërkuara apo përcjella asnjëherë nga Universiteti i Tiranës. Kaq do të mjaftonte që zonja ministre të reagonte në alarm dhe të kërkonte më së paku informacion, nisur nga fakti që këto shkelje i përkasin ekipit të paraardhëses së saj Lindita Nikolla?

Por çfarë ka ndodhur?

Pesë ditë përpara se të skadonte afati një-mujor brenda të cilit çdo institucion zyrtar në Republikën e Shqipërisë duhet të kthejë përgjigje me ligj për çdo shqetësim të paraqitur, ministrja e Arsimit Besa Shahini, del në konferencë për shtyp në datë 14.01.2020, ku pohoi se MASR kishte çelur dritën jeshile për hapjen e programeve të ciklit të tretë të doktoraturës, gjë e cila nuk ndodhi kurrë, pikërisht se kjo dalje për shtyp e ministres Shahini kishte një tjetër qëllim, atë të goditjes së figurës së Rektorit të Universitetit të Tiranës.

Në pikën e katërt të deklaratës së saj, Shahini shprehet ekzaktësish se: “ …gjatë vitit 2019 kemi marrë shumë ankesa në lidhje me Universitetin e Tiranës. Ajo që është e çuditshme në lidhje me këtë Universitet, është se ankesat na vijnë edhe nga strukturat drejtuese, si Rektori”

 

Madje ftoi trupën akademike të Universitetit të Tiranës që në zgjedhjet e ardhshme të votonin një rektor të ri, dhe sipas saj, kishte ardhur koha që UT të kishte një rektore femër. Ja pra, që nga këtu merr rrugë skema e zgjedhjeve të çuditshme që po zhvillohen në UT, në zyrat e Administratorit të UT dhe me mbështetjen e stafit në varësi të tij, siç konstatoi vendimi i djeshëm i Rektoratit, një nga shkeljet që shërbeu si motivacion ligjor për shkarkimin e Kreut të Komisionit Institucional Zgjedhor të Universitetit, zonjën Majlinda Keta.

 

Sipas dokumentit profesor Koni ka vijuar t`i kërkojë Ministres Shahini të ndërhyjë urgjentisht, pasi QSHA-ja si institucion në varësi direkte të saj dhe Fakulteti në varësi të UT, në bashkëpunim kanë shkelur dispozitat dhe përcaktimet ligjore të udhëzimeve të ministres. Rezulton se institucioni vartës i ministres, ka vepruar kundër urdhrit të saj. Ndëshkimin apo ligjërimin e veprimeve të institucionit vartës të ministres, mund ta bëjë vetëm Ministrja.  Në këtë shkresë Rektori i Universitetit i bën me dije Shahinit, se ai vetë është i vendosur t’i qëndrojë zbatimit të ligjit, duke mos u bërë bashkëpunëtor në praktika administrative që bien në kundërshtim me legjislacionin në Republikën e Shqipërisë.

Duket se Shahini, ose është tërësisht e painformuar, ose këshillimet e Drejtorit të Drejtorisë Juridike në MASR, i cili çuditërisht rezulton të jetë edhe anëtar i Bordit të Administrimit të UT, nuk kanë qenë të duhurat . Shohim se kapja e Universitetit, ka hyrë në një rreth vicioz: Drejtori Juridik i MASR, harton urdhrat që firmos ministrja, njëkohësisht Anëtar Bordi në UT. Kush përveç tij mund t`i sugjerojë zgjidhje juridike Ministres apo Bordit të Administrimit? Por për rolin e tij do të sjellim më vonë një tjetër episod, një tjetër dosje të veçantë, ku konstatohen disa paligjshmëri me efekt.

 

Vijon

%d bloggers like this: