Rritet numri i të prekurve nga Covid-19, Maqedonia e Veriut shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Ka shkuar në 42 numri i të prekurve nga Covid-19 në Maqedoninë e Veriut, 7 raste të cilat u shënuan orët e fundit, ka bërë me dije ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe. Sipas ministrit Filipçe nga 38 të testuar për koronavirus, kanë dalë pozitivë 7 persona, 3 nga Dibra dhe 4 nga Shkupi, të cilët ndodhen në gjendje stabil, përveç dy rasteve me pneumoni të moderuar.

“Deri më tani janë regjistruar gjithsej 11 raste të reja me koronavirusi. Numri i personave të infektuar me virus në vend deri në orën 21:00 është 42. Gjendja e të gjithë pacientëve është e qëndrueshme. Dy nga pacientët kanë pneumoni të moderuar” tha ministri.

Ndërkohë, Presidenti i vendit Stevo Pendarovski, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për 30 ditë, si masë për përballje me koronavirusin. Presidenti maqedonas tha se liderët e të gjitha partive i kanë dhënë mbështetje vendimit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa shtoi se zgjedhjet do të shtyhen deri në krijimin e kushteve për mbajtjen e tyre në kushte normale.

“Vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme e kam shpall me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve dhe përballje dhe evitimin e pasojave nga koronavirusi. Gjendja e jashtëzakonshme do të zgjasë 30 ditë. Para skadimit të afatit pres që qeveria të më dorëzoj një plan të detajuar lidhur me efektin e masave që janë ndërmarrë dhe me propozim nëse ka nevojë për vazhdimin edhe për 30 ditë të tjerë apo heqjen e masës”, deklaroi Pendarovski.

%d bloggers like this: