Zgjidhet kryeministri teknik në Maqedoninë e Veriut

Oliver Spasovski, Ministër aktual i Punëve të Brendshme, do të jetë kryeministri teknik që do të çojë Maqedoninë e Veriut, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 12 prillit 2020. Spasovski do të zëvendësojë pas datës 3 janar, kryeministrin e dorëhequr Zoran Zaev.

Përmes një deklaratë të bërë publike në facebook, Spasovski shpreh dëshirën për të qëndruar sa më shkurt në këtë pozitë, duke uruar kthimin Zoran Zaev në postin e kryeyarit të qeverisë. Formimi i qeverisë teknike 100 ditë para zgjedhjeve parashkohet në Ligjin për qeverinë. Pjesë e kabinetit të përkohshëm është edhe opozita me dy ministri, atë për punë të brendshme dhe Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale si dhe me katër zëvendësministra.

Partia opozitare VMRO DPMNE ende nuk ka caktuar përfaqësuesit e saj në qeverinë e cila do të organizojë dhe sigurojë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 12 prillit. Zoran Zaev i paralajmëroi zgjedhjet e parakohshme parlamentare menjëherë pasi BE refuzoi hapjen e negociatave për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut në Samitin e Tetorit.

%d bloggers like this: