Tërmeti/ Kontributet e detyrueshme të administratës, Rama shkel nenin 121 të Kodit të Punës

Partia Demokratike e ka konsideruar skandaloze urdhërin e kryeministrit Rama për t’ju mbajtur rrogat policëve dhe mësuesve. Ish-deputetja Albana Vokshi në një reagim në facebook, shprehet se Rama urdhëron arsimtarët dhe policët të japin një pjesë të pagës së tyre për banorët e prekur nga tërmeti, ndërkohë që mund t’ju hiqte oligarkëve 150 milionë dollarë. Vokshi bën thirrje që ky urdhër të anulohet me urgjencë duke shtuar se shqiptarët janë vetë solidarë me njëri-tjetrin dhe këtë e treguan me vepra.

“Urdhër skandaloz!! Edi Rama nuk u heq 150 milionë USD oligarkëve të vet, por mban me Urdhër lekët e rrogës së policëve dhe mësueve. Aktet duhet të anullohen me urgjencë! Shqiptarët jane vetë solidarë, i ndihmojnë sic i kanë ndihmuar vetë deri më sot vëllezërit dhe motrat e tyre.”, shkruan Vokshi.

Ajo çka denoncon PD bie ndesh me Kodin e Punës, neni 121, pika 2 ku parashikohet se dorëheqja nga paga për punën e kryer në bazë të kontratës që bëhet nga punëmarrësi gjatë marrëdhënieve të punës ose një muaj pas përfundimit është e pavlefshme.

Ndërsa pika 3 e këtij neni parashikon: Është e pavlefshme edhe dorëheqja nga paga, që i takon punëmarrësit, deri në përfundim të afatit të njoftimit, kur kontrata lidhet me kohëzgjatje të pacaktuar; kur kontrata lidhet me kohëzgjatje të caktuar është e pavlefshme dorëheqja nga paga që i takon punëmarrësit deri në përfundim të afatit të njoftimit të kontratës me kohëzgjatje të pacaktuar.

Lini Nje Koment