TËRMETET PSIKIKE TË KRYEMINISTRIT

Nga Alfons Zeneli

Kërcënimet brutale të kryeministrit ndaj mediave, gazetarëve dhe njerëzve të lirë janë vazdhë e gjithë sjelljes së tij gjatë këtyre viteve. Janë pjesë e një habitati në të cilin mund të rritet vetëm pushteti dhe pasuria e tij. Në këtë habitat nuk ka vend e hapësirë për normalitetin, standartet dhe rregullat e demokracisë. Por egzaktësisht, armiqësia e tij me fjalën e lirë është indikatori kryesor i temperamentit të tij politik dhe njerëzor. Shpallja që ai i bën publikisht pa asnjë frikë dhe pa u kujdesur as për etikën minimale, kësaj armiqësie tregojnë se despotizmi është e vetmja gjë në shtatin e tij që po zhvillohet në mënyrë të shëndetshme.

Mospërgjigja e tij për shpalljen e gjëndjes së jashtëzakonshme me rastin e tërmetit, gjeti zbatim vetëm në masat represive staliniste kundër mediave që publikonin skandalet e tij. E përkthyer në gjuhën dhe kontekstin e pararendësit të tij Enver Hoxha, kjo do të thotë se çdo njeri, specialist, gazetar etj që thotë se ”buka nuk është pjekur mirë”, përfundon në burg për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor. Alarmet, paralajmërimet e shumë faktorëve socialë dhe mediatikë lidhur me mundësinë e rreziqeve të ndryshëm, mund të kanalizohen në gjykimin suprem të Kimit të Surrelit si përhapje paniku.

Kështu po kërcënohet çdo specialist e gazetar i cili përpiqet t’i kontribuojë sadopak përmirësimit dhe vendosjes së normalitetit. Pra nëse ti thua se ky pallat është rrënuar, nëse thua kujdes nga tërmetet e ardhshëm, mund të bëhesh pre e ”nenit” për përhapje paniku. Se ku fillon e ku mbaron kufiri i termit dhe mëkatit , këtë e di vetëm lideri. Mëria e tij mund të bjerë mbi këdo që përpiqet të artikulojë qoftë dhe fjalën më të shkurtër paralajmëruese. Ndërkohë inspektimi që ai ka bërë e po bën nëpër zonat e dëmtuara, është shoqëruar nga fenomenet psiko emotive të një njeriu nën efektin e frikës, kaosit dhe çorientimit përballë një situate të rënduar e të papritur ku gjërat ndodhin jashtë kontrollit të tij dhe përtej dëshirës pamore të ERTV-së. Më shumë se shpërfytyrimi fizik, të bie në sy fakti se ai e ka lënë veten në mëshirën e fjalorit dhe emocioneve të rrugës.

Ai sillet njëlloj siç sillej dikur në fushën e basketbollit kur nga inati i shokut të skuadrës, bënte autokosh. Qëndrimi dinjitoz, vetëpërmbajtja, durimi, toleranca, etika e komunikimit me të pastrehët e rrënuar, qetësia etj janë gjërat që e dallojnë burrin e shtetit nga njeriu anonim. Janë pikërisht këto gjëra ato të cilat i kanë humbur kryeministrit dhe i janë larguar pakthim njëherë e përgjithmonë. Sikur këto mangësi të ishin të karakterit sipërfaqsor, natyrisht që nuk do të përbënin shqetësim për askënd. Por, fatkeqsisht këto janë tregues të metodologjisë politike dhe asaj qeverisëse të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Prej këtyre mangësive mund të kuptohet edhe kaosi fatal, mungesa e organizimit dhe hutia kolektive që ka përfshirë gjithë qeverinë.

Ndërkohë që pas një vërshimi të jshtëzakonshëm e mrekullisht human të ndihmave nga gjysma e Evropës, do të duhej që pas kaq ditësh, shumë gjëra të ishin rivënë në qetësi. Mirëpo sipas raportimeve ka zona të tëra, dhe dhjetëra e qindra familje të cilat ende nuk kanë patur kontakt me valën e ndihmave dhe institucionet. Si zakonisht, qeveria po bën më të paktën e mundshme. Kjo është pasojë e ”tërmeteve” shumëballëshe që ndodhin papushim në psikikën e kryeministrit. Dhe fatkeqsisht, ”pllakat e tij tektonike” nuk do të zënë vend kurrë.

Lini Nje Koment