Paratë pastrohen në ndërtim, Europol: Shqiptarët kontrollojnë tregun e drogës në Europë

Raportet ndërkombëtare prej kohësh kanë ngritur alarmin se Shqipëria është prodhuesi më i madh i kanabisit jashtë Bashkimit Europian, i destinuar për këtë treg. Këtë herë ka qenë raporti i EUROPOL-it që ka evidentuar se pavarësisht uljes së vendeve të kultivimit, sërish drejt BE-së ka pasur dërgesa me kanabis çka sipas agjencisë do të thotë se rezervat ruhen ende në rajon ose ato lëvizin nëpërmjet kufijve tokësorë. Shqipëria ka qenë prodhuesi më i madh në vitin 2017 e 2018 duke e rritur sasinë e kapur nga Italia nga 42 ton në vitin 2016 në 90 ton në vitin 2017.

Paratë e përfituara nga kanabisi përdoren për të investuar në pasuri të paluajtshme, ndërtim dhe turizëm. Në raport theksohet se organizatat shqipfolëse janë të përfshira në trafikun e kokainës e heroinës drejt Europës, bashkë me organizatat britanike, holandeze, franceze, irlandeze, marokene, serbe, spanjolle e turke.

Grupet shqiptare llogariten si një ndër kontrollueset e rrugës ballkanike për transportin e kokainës ndërsa ato janë edhe blerëset direkte të kokainës në vendet e Amerikës Jugore e shpërndarjes më pas drejt Italisë e vendeve të tjera. Organizatat kriminale shqiptare janë përgjegjëse për trafikimin  e heroinës së marrë nga Turqia drejt BE-së duke kontrolluar rrugët ballkanike bashkë me grupet serbe e bullgare. Këto grupe përmenden më tej në raport edhe për sa i përkret trafikut të qenieve njerëzore duke shërbyer si një nga pikat që shfrytëzohen përveç atyre në Serbi, Bosnjë Hercegovinë e Mal të Zi.

Lini Nje Koment