Meta dekoron Forcat e Sigurisë së Kosovës: Faleminderit shpëtimtarë!

Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot Forcat e Sigurisë së Kosovës, Njësinë Operacionale të Policisë, Ekipin e Zjarrfikësve të Kosovës, Njësinë K9 si dhe të gjithë ekipet e specializuara që nëpërmjet gatishmërisë së lartë, profesionalizmit dhe sakrificave të pakursyera gjatë operacioneve të kërkimit shpëtimit, treguan një ndjenjë të pashembullt solidariteti vëllazëror pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Gjatë ceremonisë solemne të zhvilluar në Kazermën Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës “Adem Jashari” në Prishtinë, Meta çmoi Task Forcën e Kombinuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” “Për gatishmërinë e lartë, profesionalizmin e spikatur dhe sakrificat e pakursyera të treguara gjatë operacioneve të kërkimit dhe shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Në vlerësim të lartë dhe me mirënjohje të thellë shtetërore për solidaritetin njerëzor dhe humanizmin frymëzues.” 

Gjithashtu Kreu i Shtetit vlerësoi dhe Njësinë Speciale Operative të Policisë së Kosovës me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”: “Për gatishmërinë, profesionalizmin dhe trimërinë e treguar gjatë operacioneve të kërkimit dhe shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Në vlerësim dhe me mirënjohje shtetërore për sakrificat humaniste si dhe për aktet e pashembullta frymëzuese të solidaritetit më të lartë qytetar”.
 
Ndërsa me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” Presidenti i Republikës u shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin shtetëror për heroizmin dhe solidaritetin vëllazëror, si dhe në vlerësim e me mirënjohje për sakrificat e pashembullta të bëra gjatë kërkimit dhe shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019: Ekipit të Zjarrfikësve të Kosovës, Njësitit K9 të FSK-së, Ekipit të Koorporatës Energjetike,  Njësitit të Çetës së Shpëtimit të Minierës së Artanës si dhe Njësitit të Çetës së Shpëtimit të Minierës së Trepçës.

“Të dashur miq! Ishte privilegj i veçantë për mua të dekoroja sot në Prishtinë, Njësinë Speciale K9 të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të puthja në ballë Sadakun, heroin që pushtoi zemrat e të gjithë atyre shqiptarëve që prisnin me ankth përpjekjet e tij poshtë rrënojave për të shpëtuar çdo jetë njeriu. Mirënjohje edhe për përgjegjesit e trajnuesit e Sadakut dhe Allit, Tetar Leutrim Ademit dhe Tetar Kushtrim Krasniqit.🇦🇱❤🇽🇰“, shkruan Presidenti Meta në facebook.

Të dashur miq! Ishte privilegj i veçantë për mua të dekoroja sot në Prishtinë, Njësinë Speciale K9 të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të puthja në ballë Sadakun, heroin që pushtoi zemrat e të gjithë atyre shqiptarëve që prisnin me ankth përpjekjet e tij poshtë rrënojave për të shpëtuar çdo jetë njeriu.Mirënjohje edhe për përgjegjesit e trajnuesit e Sadakut dhe Allit, Tetar Leutrim Ademit dhe Tetar Kushtrim Krasniqit.🇦🇱❤🇽🇰

Posted by Ilir Meta on Wednesday, 4 December 2019

Lini Nje Koment