Më mirë një oficer, një inxhinier, apo të dy bashkë

Nga Çlirim Gjata

Para vitit `90 kur ekzistonin ndërmarrjet shtetrore socialiste, nuk lejoheshin reklamat, por kishte anekdota për to. Një e tillë ishte edhe NISH-Goma, Durrës, e cila prodhonte mes të tjerash edhe çizme për punëtorët e ndërtimit. Për cilësinë e këtyre lloj çizmeve, në vënd të reklamëes thuhej: Kur në Tiranë po ndërtohej 15-katëshi, një punëtor ra nga kati i 15. Vetë vdiq, por çizmet asgje. Ishin NISH-Goma, Durrës.

Kjo mu kujtua kur pashë Ministrin Lleshaj(oficer në profesion) në dialog me një ing.ndërtimi i urbanistikës pranë Bashkisë Lezhë. Dialogu ishte në kufijtë e absurdit, pasi bëhej fjalë për një pallat 12 katësh, për të cilin dyshohej për rrezik shëmbjeje.

Dialogu në vija të përgjithshme ishte i tillë që, urbanisti, inxhinier ndërtimi dhe nëpunës i administratës lokale njëkohësisht, pra një person që mban përgjegjsi direkte për ngjarjet ndërtimore në qytet, po sqaronte se ky pallat kishte dëmtime në kollonat mbajtëse në x kat. Ndërsa Ministri oficer dhe oficer ushtarak jo shaka, pavarësisht se nuk ka bërë kurrë një luftë(nuk e di për meritë të tijë a jo), i bërtiste nëpunësit përgjegjës:pusho, mos përhap panik; pallati është në rregull sepse nuk është thyer asnjë xham.

Pra teatri absurd është ky: ing.ndërtimit dhe urbanisti thonin që pallati mund të shëmbet se ka dëmtime në kollona; Ministri thoshte se, pallati nuk ka rrezik shëmbjeje se nuk është thyer asnjë xham. D.m.th. njësi matëse për rrezikun nuk janë kollonat e dëmtuara, por xhamat e pathyer.

Njëlloj si në anektodën e çizmeve të NISH-Goma, Durrës. Punëtori vdiq, por çizmet asgjë; pallati u shëmb por xhamat nuk u thyen.

Unë nuk e di se kur bie tërmet mund ta ketë njeri mëndjen të xhamat. Por kjo s`ka ndonjë vlerë. Ky debat që mori dhenë hap shumë tema diskutimi.

E para, ç`punë ka ministri oficer te vendosë se cili pallat rrezikohet e cili jo? Pse ndërhyn në gjëra që nuk i ka as zanat e as në funksion të punës së tijë. Është njëlloj sikur urbanisti në fjalë në rast lufte ti ulurijë tankistit:pse ashtu drejtohet tanku more karafil…

E dyta, gangrenë në administratën tonë, është nënshtrimi i nëpunësit para eprorit, pavarësisht pasojave. Sapo Ministri filloi ti bërtiste ing.ndërtimit e mbylli sqepin dhe nuk u ndie. Ç`i duhej atij të kundërshtonte Ministrin; me mirë të bjerë pallati. Shefi ka gjithmone të drejtë, sidomos kur nuk është thyer asnjë xham.
Po kështu edhe Kryetari i Bashkisë. Nuk ka patur përplasje me Ministrin deklaroi. Punë e madhe pallati 12 katësh në tokë. Me Ministrin s`ka përplasje, ikni tashi.
Po mor po, por kush mban përgjegjsi atje në Lezhë??

E treta, meqënëse Ministri oficer ka të drejtë për xhamat dhe ing.ndërtimit-shef urban.nuk ka të drejtë për kollonat, le ta zgjidhim më thjeshtë. Në këto ditë tërmeti, përse nuk e bëjmë oficerin Shef Urbanistike dhe ing.ndërtimit Ministër të Brëndshëm. Kështu gjithshka do të shkonte në vënd dhe të gjithë do të ishin të kënaqur. Me përjashtim të xhamave kuptohet.

Me çfarë po shohim në këtë kiamet, ku qeveria po i bërtet qenve te rrugës, bojaxhinjve të shkallëve dhe inxhinierëve të ndërtimit, le të ndodhë edhe kjo.

Për ta mbyllur mu kujtua një ngjarje në Itali, këto kohë. Një karabinier kishte ndaluar një makinë për shkelje. Shoferi qëlloi prokuror. Por karabinieri, nuk po pyeste fare për postin e shoferit. Jam karabinier dhe pikë këmbëngulte. Prokurori i nxehur ia kthen: e shoh, se po të kishe më shumë mend do të ishe bërë avokat, nuk do ngelje karabinier. Akoma vazhdon gjyqi në Itali për fyerje.

Që ta mbyllim me pallatin, uroj të mos ketë fatin e Ministrave të Brëndshëm në gjithë historinë e së majtës shqiptare.

Lini Nje Koment