“Tutorët dhe dekriminalizimi”, “Shtëpia e Ramës” me Ndoka, Prenga, Kajmaku, Pjetri e Rroshi

Përballë lëvizjeve të Presidentit, institucioni i të cilit ende nuk është marrë nga kryeministri Rama, ky i fundit, e ka një tjetër mekanizëm për të zhvendosur vëmendjen nga kaosi në drejtësi: Ligjin Special. Ndërsa foli për gazetarët në hollin e partisë që drejton, pas zgjedhjeve të brendshme që po zhvillohen aty, Edi Rama lajmëroi se më 25 nëntor do të paraqesë një platformë të re ligjore kundër krimit të organizuar. Ironizoi Presidentin Meta në lidhje me paralajmërimin e shpërbërjes së parlamentit, duke e quajtur atë qëndrim haxhiqamislist. Për Ardian Dvoranin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nuk bëri asnjë koment.

“Jo program por paketë ligjore mbi bazën e një ligji special kundër krimit të organizuar kundër atyre që kanë kryer vrasje, akte të rënda, përfshirje në trafiqe.”, tha ai.

Edi Rama prej vitesh i përdor nismat e reja ligjore si mjet për t’i shpëtuar krizës qeveritare dhe për të finalizuar një aferë rë penguar nga ligjet në fuqi. Në veçanti, në kushtet e mungesës së Gjykartës Kushtetuese, qeveria ka kryer një seri manovrash për të arritur qëllimet e saj me ligje speciale. është ligji për shembjen e Teatrit dhe dhënien e truallit firmës Fusha shpk, për ndërtim kullash, paleta ligjore “anti-shpifje”, vetëm një “efekt propagandistik”, ligji i Korporatës së Investimeve apo drafti i ri për tjetërsimet e pronave të Bashkive, të cilat nuk kanë nevojë për për t’u votuar nga një shumicë e cilësuar në këshillat bashkiake.

Përveç ligjit special, për atë që Rama e etiketon KÇK, ai iu kthye këtë të shtune edhe ligjit për dekriminalizimin të cilin tha se do e përforcojë, ndërsa kritikët i cilësoi si tutorë të shtëpive publike.

Në fakt vetë kryeministri predikoi moral, ndërsa shtëpia “politike” e zotit Rama ka brenda një listë të gjatë të atyre për të cilat ai foli. Mark Frroku, Arben Noka, Armando Prenga, Elvis Rroshi,Valdrin Pjetri, Agim Kajmaku, Aqif Rakipi, u kapën nga ligji i dekriminalizimit. Por ndërsa kryeministri deklaron “fuqizim të dekriminalizimit” dhe “ligji special për KÇK”, dy dosjet 184 dhe 339 të grabitjes së zgjedhjeve që përfshijnë në përgjime zyrtare, atë dhe shumë funksionarë të lartë socialistë janë bllokuar nga drejtësia, për të cilën Rama pretendon se po e reformon me mbështetjen ndëkombëtare.

Lini Nje Koment