Turqisë i soset durimi, kërcënon BE-në për refugjatët sirianë

Turqia kërcënon sërish BE me hapjen e portave për 3.6 milion refugjatë kryesisht sirianë, që strehon në territorin e saj. Presidenti Recep Tayip Erdogan, tha nga Budapesti ku u takua me kryeministrin Viktor Orban, se vendi i tij nuk mund ta bartë i vetëm barrën e strehimit të refugjatëve dhe në rast të mos reagimit nga Brukseli, nuk i mbetet zgjidhje tjetër, veç hapjes së dyerve.

Kur Turqia filloi ofensivën në verilindje të Sirisë javë më parë, ndër të tjera kishte për qëllim edhe krijimin e një zone sigurie, ku parashikonte rikthimin e dy milionë refugjatëbe sirianë. Por plani i Ergogan nuk gjeti mbështetjen e grupeve për të drejtat e njeriut, vendeve e BE dhe të NATO-s. Sipas përllogaritjeve të saj, Turqia pretendon se ka shpenzuar 40 miliardë dollarë për të mbështetur refugjatët.

Si pjesë e marrëveshjes për refugjatët midis BE-së dhe Turqisë të arritur në vitin 2016, blloku 28 anëtarësh premtoi 6 miliardë euro në ndihma për periudhën 2016-2019 me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për refugjatët sirianë në Turqi. Por, deri më tani vetëm 3.71 miliardë euro janë akorduar për nevojat e refugjatëve.

Sipas të dhënave të Komisionerit të Lartë për Refugjatë në Kombet e Bashkuara, Turqia aktualisht strehon rreth 3.6 milionë refugjatë sirianë, më shumë se çdo vend tjetër në botë.

Lini Nje Koment