“Shërbëtor i pushtetit të Ramës”, PD reagon për lirimin e Suel Çelës

Lirimin e Suel Çelës nga Gjykata e Krimeve të Rënda, Partia Demokratike e ka konsideruar si një provë që tregoi sërish se me Edi Ramën në qeveri drejtësia nuk është e lirë të ndëshkojë krimin. Në një reagim zyrtar, PD thotë se mesazhi që iu dha shqiptarëve është se kriminelët e pushtetit, ata që blejnë vota për karrigen e Ramës janë të paprekshëm.

Shpallja i pafajshëm i banditit të rrezikshëm të Elbasanit Suel Çela, shërbëtor i pushtetit të Edi Ramës, provoi në mënyrë të përsëritur se me Edi Ramën në qeveri drejtësia nuk është e lirë të ndëshkojë krimin. Mesazhi që iu dha sot shqiptarëve është se kriminelët e pushtetit, ata që blejnë vota për karrigen e Edi Ramës janë të paprekshëm! Kur kriminelët vjedhin zgjedhjet për Edi Ramën, kur bëjnë drogë me lejen e pushtetit të Edi Ramës, kur godasin policinë dhe e çnderojnë atë me mbrojtjen e Edi Ramës, drejtësia është e pafuqishme të bëjë drejtësi.

Duke shpallur të pafajshëm kriminelët e pushtetit, rrëzohet çdo iluzion për drejtësinë e pavarur. Të gjithë e kanë mësuar se drejtësia është plotësisht në dorën e Edi Ramës dhe të krimit. Vendi ka nevojë jetike për ndarjen e politikës nga krimi, ka nevojë për zgjedhje të lira, të pandikuara nga kriminelët, si dhe për një qeveri të re, që e ka fatin të lidhur me qytetarët dhe jo me kriminelët.”

Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli sot të pafajshëm Suel Çelën, një nga të akuzuarit për incidentin pranë tregut të Elbasanit, ku u përplas makina e izh-zv.drejtorit të Policisë së Elbasanit, Gjergj Oshafi.

 

Lini Nje Koment