‘Sekuestrojini menjëherë, mund të manipulohen’, Meta flet për regjistrimet në mbledhjet e KED

Presidenti Meta në materialin prej 38 faqesh që ka depozituar në Prokurori, ndërsa ka renditur të gjitha shkeljet e Kreut të KED-së, Ardian Dvorani, kërkon që organi i akuzës të sekuestrojë kopje të regjistrimeve nga sistemi i regjistrimit audio për të gjitha mbledhjet e këtij Këshilli, pasi sipas tij do të zbulohen fakte e të dhëna shtesë përtej atyre të parashtruara në këtë kallëzim.

Gjithashtu, Presidenti thekson se organi i akuzës duhet të përfshijë në listat e personave që mund të japin të dhëna të vlefshme për hetimin, kandidatët që kanë marrë pjesë në garë për këto 4 vakanca, anëtarët e KED, Këshilltarët dhe Sekretarinë pranë Gjykatës së Lartë që kanë shërbyer si ndihmësa dhe sekretar për çdo relator dhe KED-në, si dhe të gjithë të pranishmit në mbledhje në mënyrë që të zbardhet më mirë e gjithë veprimtaria kriminale e shtetasit Ardian Dvorani, apo të dhëna shtesë që mund të evidentojnë vepra të tjera penale që mund të jenë kryer nga ky shtetas.

Në padinë e depozituar, Presidenti bën me dije se dërgimi njëkohësisht i dy listave nga i akuzuari Ardian Dvorani për kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese pranë Presidencës dhe dërgimi njëkohësisht i dy listave për kandidaturat për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese pranë Kuvendit janë veprime të ndërgjegjshme kriminale që shkelin hapur Kushtetutën.

Gjithashtu edhe mos botimi i përmbledhjes së procesverbaleve të mbledhjes së KED-së dhe mos marrja e masave për përmbushjen e kësaj detyre që i ngarkohet Kryetarit të KED-së, përveç se ka cënuar punën dhe kompetencat e Avokatit të Popullit, përbën një tjetër shkelje.

Lini Nje Koment