Rusofilia shqeto në mes të Tiranës me “heronjtë e bulevardit”

Lidhur me vendimin e Bashkisë së Tiranës për vendosjen e portreteve të regjimit komunist në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka reaguar dhe historiani Kastriot Dervishi. Në një postim në facebook, ai shkruan se ata që i kanë vendosur janë rusofilë, dhe kjo s’ka nevojë për hetime.

“Ndër të tjera, në bulevard do të gjeni plot 11 yje të kuq dhe dy uniforma sigurimi, model sovjetik (pa përfshirë zëvendësimet e djeshme që bënë shokët e dekorit të komitetit ekzekutiv). Ata që i kanë vendosur janë rusofilë. Është e thjeshtë fare kjo, nuk ka nevojë as për hetime, është ashiqare.”, thekson Dervishi.

Dervishi ka ironizuar kryeministrin Edi Rama se me “yll të kuq komunist nuk mund të shkohet në Europë, por në Rusi apo Kore të Veriut”.

“Doni dhe rusin, edhe negociatat?! Me yll të kuq komunist nuk shkohet në Europë por në Rusi apo Kore të Veriut.”, thekson Dervishi.

Kryeministri shqiptar para disa kohësh ka marrë dhe një iniciativë aspak të zakonshme, Minishengeni Ballkanik, një lëvizje ruse që u parapri nga ideja e kryeministrit Rama për një Minishengen rajonal, i cili bashkë me presidentin serb Vuçiç dhe Kryeministrin maqedonas Zaev, e konkretizuan në Samitin e Novi Sadit.

Ndërkohë, portretet e vendosura kanë shkaktuar debat të shumtë. Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve politikë e dënoi ashpër këtë akt nga Bashkia e Tiranës. Në një deklaratë kryetari i kësaj shoqate, Nebil Çika, e konsideroi fyerje dhe provokim nga qeveria dhe Bashkia, ndërsai i bëri thirrje qeverisë që të ndalojë sa më shpejt këtë promovim të terrorizmit komunist.

“Personat ne fjalë po trajtohen nga shteti shqiptar si dëshmore te atdheut ndërkohe qe nuk plotësojnë asnjë kusht t te ligjit për te pasuar statusin e dëshmorit dhe ne shume raste janë autore te vrasjeve te dëshmoreve te vërtete te atdheut.”, deklaroi Çika.

Lini Nje Koment