Bllokohet grabitja e pronave

Presidenti Ilir Meta ka rikthyer për rishqyrtim ligjin e shumë debatuar që parashikon ngritjen e “Korporatës së Investimeve”. Kreu i shtetit argumenton edhe arsyet e mosdekretimit të ligjit, i cili nga ekspertë të ekonomisë, ashtu si dhe opozita është cilësuar si një akt tjetër korruptiv që ka rrezik të grabisë pronat.

Presidenti thekson se ky ligj bie në kundërshtim me parimet dhe dispozitat kushtetuese, aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, cenon parimin e sigurisë juridike dhe të drejtën themelore të pronës, si dhe fryma e këtij ligji është në kundërshtim me sistemin ligjor aktual mbi të cilin zhvillohet shoqëria shqiptare. Ky ligj nuk është kaluar për shqyrtim nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, qëllimi i të cilit është i paqartë, subjektiv dhe nxjerrja e kësaj norme të re ligjore është e pajustifikuar objektivisht.

Krijimi i një subjekti tregtar nëpërmjet një ligji të veçantë krijon premisa për cenim të “parimit të barazisë përpara ligjit”, “lirisë së veprimtarisë ekonomike dhe nismës së lirë” parime këto që gëzojnë mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta në nenet 11 dhe 18. Nga shqyrtimi i përmbajtjes së nenit 1, rezulton se qëllimi i ligjit nr. 71/2019 është krejtësisht i paqartë dhe i pajustifikuar.”, deklaron presidenti.

Referuar edhe përmbajtjes së ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, i ndryshuar, Këshilli i Ministrave nëse kishte për qëllim të vetëm krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare si subjekt tregtar, nuk kishte arsye të nxirrte këtë ligj, por nëpërmjet dispozitave të kuadrit ligjor ekzistues mund të themelonte këtë subjekt të ri duke e regjistruar atë si të gjitha subjektet e tjera pranë regjistrit të subjekteve tregtare në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Krijimi i Korporatës së Investimeve Shqiptare si shoqëri aksionare, mund të realizohet me normat ligjore aktuale në fuqi dhe nxjerrja e ligjit nr. 71/2019, nuk vjen as si nevojë e plotësimin të ndonjë vakumi ligjor të evidentuar, dhe as për ndreqjen e legjislacionit ekzistues.

Pozita dominuese në treg e kësaj shoqërie tregtare, e cila sigurohet nga mbështetja e drejtpërdrejtë nga shteti përmes ligjit nr. 71/2019, dhe forcës shtrënguese të tij, bën që funksionimi i Korporatës së Investimeve Shqiptare të cenojë parimet kushtetuese të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike e nismës së lirë”.”, deklaron Meta.

Përpos kësaj, Meta në argumentin e tij thekson se kjo kompani bën që të ketë një pozitë dominuese në treg në raport me sipërmarrësit e tjerë duke shkelur kështu parimin e barazisë përpara ligjit dhe lirinë e veprimtarisë ekonomike. Meta shton se ky ligj i jep të drejtën qeverisë t’i transferojë korporatës edhe prona që janë në disponim të pushtetit lokal, pa marrjen e pëlqimin prej këtij të fundit, ndërkohë që sipas ligjit nr.139/2015, Këshilli i Ministrave nuk e ka këtë tagër, gjë e cila cënon të drejtën e pronënsisë.

Përveç të tjerave, ligji bie në kundërshtim edhe me parimet e Kartës Evropiane të Qeverisjes Vendore, pasi asnjë vendim që ndikon në qeverisjen vendore nuk do të mund të merret pa u konsultuar me përfaqësuesit e qeverisjes vendore.

Neni 7 i ligjit nr. 71/2019 cenon parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor, të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, sanksionuar në nenet 13, 108-113 të Kushtetutës, si dhe nuk është në harmoni me Kartën Evropiane të Autonomisë Lokale dhe parashikimet e ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” i ndryshuar. “

Ky ligj mund të sjellë për disa subjekte ndërprerjen e procesit të legalizimit deklaron Meta, apo më së paku ndërlikimin apo tejzgjatjen e tij.  Në kushtet kur mjaft shtetas janë ende në pritje të realizimit të të drejtës së tyre të fituar, ligji objekt shqyrtimi iu cenon këtë të drejtë duke i vendosur në pozitë përkeqësuese mbi mundësinë që sot ata kanë ligjërisht për t’u kompensuar apo ligjëruar pronat e tyre, për të cilat ata mund të kenë fituar të drejta pronësie apo kanë krijuar pritshmërinë se një ditë do të jenë pronar të tyre.

Sipas këtij neni nuk është qartësuar se cili është kufiri i aksioneve që shteti mund të lejojë që të tjetërsohen në favor të një institucioni/organizmi financiar ndërkombëtar.

Lini Nje Koment