“Rinia përballë kriminalizimit e emigrimit”, Basha: Ja programi ynë për arsimin

Kreu i PD-së, Lulzim Basha në bashkëbisedimin që po mban me të rinjtë në Krujë tha se papunësia është produkt i Edi Ramës. Rinia ndodhet përballë kriminalizimit dhe emigrimit, ndaj tha kryedemokrati, PD do bëjë gjithçka për një të ardhme më të mirë. Teksa e konsideroi si “kalçeto”, kreu i PD-së tha se largimi i Ramës  nga pushteti, do të risillte shpresën.

“Për këtë duhet të largojmë atë kalçeton, kryeministrin që ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura. Ta largojmë menjëherë kalçeton dhe të krijojmë të ardhmen e mbarë këtu në Krujë, në Shijak, në Fushë-Krujë e në mbarë Shqipërinë. E afërt do jetë dita kur ndryshimi do të vijë.

Rinia është përballë dy zgjidhjeve, krminalizimin ose emigrimin. Unë ju premtoj se do bëjmë gjithçka që të mos zgjidhni këto dy rrugë, por të qëndroni e të ndërtoni të ardhmen këtu.“, deklaroi Basha.

Me programin e PD, Basha tha se 10 mijë studentët më të mirë të marrin 1 vit stazh të paguar nga shteti, ndërsa shtoi se do mundësojë financim për të gjithë ata që nuk kanë kushte ekonomike për të përballuar tarifat e shkollimit.

Nuk jam në gjendje të premtoj Universitetin e Krujës, por programi ynë parashikon financim të mundshëm, në mënyrë që asnjë krutan apo krutane të mos mbetet pa arsimin e lartë, për shkak se nuk kanë mundësi ekonomike. Në fund të shkollës, 10 mijë më të mirët do të marrim 1 vit stazh të paguar nga shteti dhe do synojmë të kapim deri në 90% punësim të të gjithë studentëve. Për ne prioritet numër një është arsimi i rinisë dhe punësimi i tyre”, deklaroi Basha.

Lini Nje Koment