Rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë, regjistrohen 100 ankesa në panelin zgjedhor

100 ankesa janë dorëzuar nga partitë politike dhe kandidatët për deputetë në Kosovë, një ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit. Kryesuesi i Sekretariatit të Panelit Zgjedhor, Ankesa dhe Parashtresa, Mulë Desku, u tha medieve se Partia e Pavarur Liberale dhe Lidhja Demokatike e Kosovës, kanë numrin më të lartë të ankesave, me përkatësisht 42 dhe 23 të tilla.

Pothuajse të gjitha subjektete politike garuese në zgjedhjet e 6 tetorit, kanë paraqitur pretendimet e tyre pranë panelit zgjedhor të ankesave. Partia Demokratike ka dorëzuar 12 ankesa, koalicioni NISMA-AKR 6 dhe Lëvizja Vetëvendosje 5 ankesa.

Sipas kreut të këtij autoriteti, natyra e ankesave ndërlidhet kryesisht me mospërputhje të rezultateve. Paneli Zgjedhor ka 72 orë kohë t’iu japë përgjigje palëve të ankuara. Pas pranimit të vendimit nga PZAP-i, subjektet politike që mbeten sërish të pakënaqura, kanë të drejtën e paraqitjes së ankesave në Gjykatën Supreme brenda 24 orëve.

Lini Nje Koment