“Projekti i Unazës së Re pa leje”, dalin prova të reja: Ja kush ka rol kyç në skemën e vjedhjes

Partia Demokratike prej një viti ka publikuar dokumenta që tregojnë se projekti i Unazës së Re që në nisje kishte bazë vjedhjen e miliona eurove duke shkelur disa nga rregullat kryesore për ndërtimin e një vepre të tillë. PD ka bërë sot publike të tjera dokumente lidhur me këtë projekt, që sipas kësaj force politike është pa leje të vlefshme ndërtimore.

Ish-deputeti Klevis Balliu shprehet se kompania “AVE CONSALTING”, në kundërshtim me ligjin, nuk ka drejtues teknik në fushën e gjeodezisë. Sipas tij dokumentet provojnë se projekti teknik është jo i plotë sepse i mungon studimi topografik, gjë që vërtetohet nga shkresa e Autoritetit Kombëtar të Rrugëve.

“Dokumentat provojnë se projekti teknik eshte jo i plotë. Atij i mungon studimi topografik, gjë që vërtetohet nga shkresa e 16 Tetorit 2018 e Autoritetit Kombëtar të Rrugëve. Një shkresë tjetër, e 11 Dhjetorit 2018 e Ministrisë së Infrastrukturës, tregon kompania “AVE CONSALTING” ,që ka sponsorizuar projektin, në kundërshtim me ligjin, nuk ka drejtues teknik në fushën e gjeodezise. Ky është një fakt shtesë për mungesën e studimit topografik, pa të cilin nuk mund të projektohen detajet e zbatimit të projektit.”, deklaron Balliu.

Rol kyç në skemën e vjedhjes me projektin e Unazës së Re ka Agjencia e Rrugëve, e cila, në kundërshtim me ligjin e sponsorizimeve, ka pranuar si dhuratë një projekt të gatshëm mbi 1 milionë euro nga kompania AVE CONSULTING, deklaron Balliu. Ai thekson se Partia Demokratike do t’i dorëzojë Prokurorisë te gjitha dokumentat e nevojshme për të nxjerrë në dritë këtë aferë korruptive.

“Partia Demokratike do t’i dorëzojë Prokurorisë te gjitha dukementat e nevojshme për të nxjerrë në dritë këtë aferë korruptive, ku një grusht njerëzish duan të shtojnë pasuritë duke shkatërruar jetën e qindra familjeve.“, tha ai.

Mungesa e këtij studimi sjell pasoja juridike në pavlefshmërinë e lejes së ndërtimit të projektit që kushton 20 milionë euro për 1 kilometër. Duke mos patur një studim të fazes së parë të projektit, shkaktohet edhe një dëm i madh ekonomik, pasi volumet e punës llogariten keq, aksi i rrugës zhvendoset sipas interesave korruptivë të momentit dhe rritet kostoja e punimeve.

Përveç anës teknike, që bën të pavlefshëm lejen e ndërtimit, në këtë çështje ka edhe një konflikt të pastër interesi të kompanisë që gjoja i ka falur qeverisë një projekt 1.2 milionë euro. Nga njëra anë, Ave consulting, që ka projektuar shkatërrimin e qindra shtëpive tek Unaza e Re, ka fituar tenderin per të permbyllur procedurat e legalizimit te objekteve informale.

Opozita do t’i dorëzojë Prokurorisë te gjitha dokumentat e nevojshme që provojnë aferën korruptive. Gjithashtu i kërkon organit të akuzës të hetojë menjherë, duke mos e zvarritur siç po bën me rastin e DH Albania, për të cilën, akoma pas një viti nuk ka asgjë konkrete. Partia Demokratike shprehet se me ligjin e ri Antimafia dhe me programin “Ndiq paranë”, zyrtarët apo privatët e përfshirë në këtë aferë do të paguajnë çdo dëm i shkaktuar nga ky projekt korruptiv.

“Me ligjin tonë të ri Antimafia dhe me programin tonë “Ndiq paranë”, ata do të paguajnë çdo dëm që i është shkaktuar shtetit shqiptar dhe banorëve të Unazës së Re nga projekti korruptiv 20 milion euro për 1 km.”

Lini Nje Koment