“Po ekspozohen figura gjakatare”, pinjollët e komunizmit po përdhosin kujtimin e dëshmorëve

Ish-deputeti i PD-së, Bardh Spahia ka reaguar në lidhje me vendosjen e portreteve në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ nga Bashkia e Tiranës.  Në një reagim në facebook, ish-deputeti ka dënuar aktin e paprecedentë të bashkisë, për vendosjen e këtyre portreteve, ndërsa shton se në SHBA përkujtohen viktimat e komunizmit, ndërkohë që në Shqipëri me paturpësinë më të madhe glorifikohen figurat gjakatare të regjimit komunist.

“Ndodh në SH.B.A. Departamenti Amerikan i Shtetit: “Sot në Ditën Kombëtare të Viktimave të Komunizmit, ne kujtojmë ata miliona njerëz që humbën jetën nën regjimet shtypëse komuniste. Ne gjendemi pranë atyre që vazhdojnë të vuajnë në perpjekjet e tyre për liri që duhet ta gëzojnë të gjithë”. Po në Shqipëri? Në Shqipëri pinjollët e diktaturës komuniste me paturpësinë më të madhe e në mënyrë kriminale glorifikojnë në mes të kryeqytetit tonë figura gjakatare te rregjimit më të egër komunist. shprehet Spahia.

“Jo vetëm nuk kujtohen e nderohen vuajtjet e viktimave të komunizmit, siç ndodh në SH.B.A. por përdhoset e nëpërkëmbet qëllimisht kujtimi i tyre dhe kontributi i jashtëzakonshëm që ata individë të nderuar, dinjitozë e guximtarë dhanë për atdheun tonë. Le ti kujtojmë sot e përjetë e të frymëzohemi nga qendresa dhe sakrifica e tyre sublime.”, shkruan ai.

Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë ditë më parë, në një reagim e konsideroi fyerje dhe provokim nga Bashkia e Tiranës, vendosjen e këtyre portreteve, ndërsa i bëri thirrje qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës të ndalonin promovimin e këtij akti të paprecedentë.

“Personat në fjalë po trajtohen nga shteti si dëshmorë të atdheut, ndërkohë që nuk plotësojnë asnjë kusht të ligjit për të patur statusin e dëshmorit, dhe në shumë raste janë autorë të vrasjeve të dëshmorëve të vërtetë të atdheut.”, theksoi kryetari i kësaj shoqate, Nebil Çika.

Lini Nje Koment