Ngërçi në Kushtetuese, Meta bën lëvizjen e radhës

Presidenti Ilir Meta pritet që të ftojë në një takim Këshillin e Ambasadorëve shqiptarë javën e ardhshme për t’i informuar lidhur me situatën e rëndë të funksionimit të shtetit ligjor që rrezikon izolimin e vendit.

Gjithashtu mësohet se Kreu i Shtetit ka ftuar për një takim edhe Fondacionin e Shoqërisë së Hapur (Soros), si dhe përfaqësues të shoqërisë civile të angazhuar me reformën në drejtësi. Ndërkohë që më parë ai kërkoi një takim dhe me krerët e opozitës së Bashkuar.

Në letër theksohet se: “Nisur nga situata dramatike në të cilën ndodhet vendi dhe pasojat e saj të paparashikueshme ju ftoj juve dhe të gjitha kryetarëve të Partive të Opozitës së Bashkuar në një takim, në një kohë sa më të shpejtë, mundësisht përpara ditës së mërkurë, datë 20.11.2019”.

Ditën e djeshme, Meta deklaroi se do të kallëzojë penalisht të hënën, kreun e KED-së, Ardian Dvorani të cilin e akuzon për shpërdorim detyre dhe përvetësim të titullit, apo detyrës shtetërore gjatë procedurave për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Meta tha se Dvorani kishte kryer një akt mafioz duke shkaktuar një gjendje antikushtetuese në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërsa Prokurorisë i kërkoi të hetojë të gjithë personat e përfshirë, ndërsa kreut të KED-së i kujtoi penalitetet ligjore për shkeljet e kryera. Në mungesë të hetimit nga ana e prokurorisë, Kreu i Shtetit paralajmëroi se do të kërkonte ndëshkim ndërkombëtar.

Lini Nje Koment