“Ndal puçit kushtetues”, zbardhet vendimi i rëndësishëm i Metës pas takimit me Bashën

Presidenti mbështet qëndrimin e opozitës për zgjedhje të parakohshme. Kreu i Shtetit zhvilloi sot paradite një takim me kryetarët e partive të Opozitës së Bashkuar, drejtuar nga Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Kreu i Shtetit, i njohu të gjithë pjesëmarrësit në takim me situatën dramatike të sundimit të ligjit, dhe veçanërisht me zbatimin e njëanshëm antikushtetues të Reformës në Drejtësi.

Manipulimi i procesit të emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke synuar kapjen e Gjykatës Kushtetuese përmes rrëmbimit të të drejtës kushtetuese të Presidentit të Republikës për të bërë emërimet e tij, është skandali më flagrant i Reformës në Drejtësi dhe shkeljes së Kushtetutës.

Presidenti theksoi se nuk do të lejojë askënd të neutralizojë kompetencat e Presidentit të Republikës, siç ia njeh Kushtetuta e vendit, dhe se do të ndërmarrë çdo veprim për të ndaluar këtë puç kushtetues. Meta përshëndeti hapat e ndërmarra nga opozita për miratimin pa asnjë vonesë të reformës zgjedhore, si dhe qëndrimin publik të Opozitës së Bashkuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të menjëhershme, me qëllim kthimin e legjitimitetit të munguar Kuvendit të Shqipërisë dhe rivendosjes së dialogut politik në institucione.

Në takim morën pjesë, Lulzim Basha, Petrit Vasili si perfaqesues I LSI, kreu i PAA, Agron Duka, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Mesila Doda nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, dhe Arjan Madhi nga Partia Republikane.

Lini Nje Koment