“Mini Shengeni Ballkanik”, eksperti gjerman: Rama nuk po mbron interesat e Kosovës

Minishengeni Ballkanik, nisma e kreut të qeverisë, të cilin ky i fundit e trumbetoi si një iniciativë ekonomike për rajonin, është vetëm në interes të Ramës, i cili nuk mund të luajë rolin e mbrojtësit të interesave të Kosovës, për aq kohë sa mbështet idenë e korrigjimit të kufinjve. Ky është konstatimi i ekspertit gjerman për çështjet e Ballkanit, Bodo Weber. Në një analizë për zhvillimet në Ballkan, për gazeten Ekspress, ai thotë se lëvizjet e fundit të kryeministrit të Shqipërisë vijnë pasi ai ka nevojë për ringritje politike pas bllokimit të dëmshëm për vendit, të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Për fat të keq, Rama me lobimin që ia bëri marrëveshjes për shkëmbim të territoreve në negociatat mes Kosovës dhe Serbisë gjatë dy vjetëve të fundit, për fat të keq e ka dëmtuar imazhin e tij si një ndërmjetës i sinqertë dhe mbrojtës i interesave të Kosovës”, tha ai.

Weber thekson se është në dorën e autoriteteve të Kosovës nëse do të vendosin që të marrin pjesë apo jo në iniciativën për krijimin e një minishengeni ballkanik, megjithatë ndërlidhur me këtë ai shtron disa pyetje për tre ideatorët e kësaj nisme, duke filluar me Beogradin.

“Por të paktën unë do t’u parashtroja pyetje tre ‘anëtarëve’ aktualë të minishengenit, duke filluar me Beogradin, nëse Kosova ftohet që t’u bashkohet me qëllim, p.sh. për t’i hequr barrierat tregtare jotarifore, apo për t’i implementuar pjesët e papërmbushura të marrëveshjes për lëvizje të lirë dhe njerëzve në kuadër të dialogut teknik Kosovë – Serbi”

Weber flet edhe për rezistencën e Prshtinës zyrtare, në lidhje me tezën e shkembimit të territorëve duke thënë se qëndresa përballë presionit të administratës së Trump, ishte jetike për Kosovën.
“Ishte më shumë sesa e mirë, jetik për Kosovën që i rezistoi presionit të administratës së Trumpit për idenë e shkëmbimit të territoreve. Në këtë çështje konkrete, nuk mendoj që opinioni i Departamentit të Shtetit do të këtë rol të rëndësishëm ose ndikim thelbësor, nëse Kosova vendos të mos i bashkohet kësaj iniciative”, ka theksuar Weber.

Eksperti gjerman per Ballkanin, u shpreh skeptic sa i takon gatishmërisë së Serbisë për largimin e barrierave tregtare mes shteteve, kur ajo nuk e ka bërë një gjë të tillë që prej anëtarësimit në CEFTA. Nisma për të ashtuquajturin ‘Minishengen Ballkanik, nga njëra anë vendosi Edi Ramën dhe Shqipërinë në një aleancë të përbashkët me Aleksandar Vuçiqin e Zoran Zaevin, dhe nga ana tjetër, në përplasje verbale me Kosovën dhe krerët politikë në Prishtinë.

Lini Nje Koment