Meta takim me kreun e KLP, zbardhet kërkesa për ngritjen e SPAK

Presidenti Ilir Meta ka takuar pasditen e sotme Kryetarin e KLP-së Gent Ibrahimin, me kërkesë të këtij të fundit. Presidenca në deklaratën për shtyp bën me dije se “Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë e informoi Kreun e Shtetit për hapat e mëtejshëm dhe koordinimin ndërmjet të gjithë institucioneve të përfshira në procesin e konstituimit të Prokurorisë së Posaçme”. Presidenti Meta e siguroin Ibrahimi për mbështetjen e pa kursyer në përmbylljen me sukses të procesit të ngritjes së SPAK.

Meta i bëri me dije Kryetarit të KLP-së, se pavarësisht rezervave që ai ka patur në lidhje me zgjedhjen antikushtetuese të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm dhe vonesat në krijimin e këtyre institucioneve të reja, do të mbështesë maksimalisht këtë proces në mënyrë që këto organe kaq të rëndësishme të drejtësisë penale të jenë sa më shpejt funksionale dhe që procedura e konstituimit të tyre të kryhet brenda një kohe sa më shpejt të jetë e mundur.

Në këtë drejtim Presidenti i Republikës do të përmbushë çdo detyrim që do t’i kërkohet sa më parë të jetë e mundur në përputhje me ligjin dhe frymën e Kushtetutës.

Lini Nje Koment