Meta takim me arbëreshët: Europa, e ardhmja e Shqipërisë

Presidenti Ilir Meta në kuadër të nismës së tij, “U’ jam Arbëresh”, vizitoi Komunën e Kazalvekios në rajonin e Puljas, ku u prit nga përfaqësues të shumtë të komunitetit arbëresh, të cilët kishin organizuar edhe një aktivitet kulturor për t’i uruar mirëseardhjen Metës. Kryetari i Komunës së Kazalvekios z.Noe Andreano e falenderoi Presidentin Meta për vëmendjen dhe kujdesin e përhershëm të treguar ndaj komunitetit arbëresh, veçanërisht të rajonit të Puglia-s, si dhe vlerësoi nismën “U’ jam Arbëresh”. Kreu i Shtetit mori pjesë në konferencën me temë “Zhvillimi i raporteve social-ekonomike midis komuniteteve arbëreshe dhe Shqipërisë”.

Presidenti Meta gjatë fjalës së tij, shprehu mirënjohje për komunitetin arbërësh për ruajtjen e traditave dhe kulturës, ndërsa shtoi se ruajtja e këtyre traditave do një vëmendje më të madhe, pasi globalizimi është një kërcënim serioz për minorancat kulturore, apo për popujt dhe vendet modeste.

Ne u jemi shumë mirënjohës arbëreshëve, sepse jo vetëm kanë ruajtur për shekuj identitetin, historinë, traditën e ritet e tyre, por mbi të gjitha e mbrojtën si të shenjtë figurën e Skënderbeut dhe e rikthyen atë në kohën e duhur për të nxitur rilindjen dhe pavarësinë e Shqipërisë. Ne nuk e harrojmë investimin e jashtëzakonshëm që bënë personalitetet e mëdha të botës arbëreshe si Jeronim De Rada, Zef Serembe e Gavril Dara, për të  frymëzuar popullin shqiptar, të shtypur për disa shekuj nën Perandorinë Osmane, për t’u ringritur për pavarësinë e Shqipërisë.“, deklaroi Presidenti.

Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Jugun e Italisë, si dhe në komunat arbëreshe, ka një tendencë të të rinjve për t’u larguar drejt vendeve më të zhvilluara, deklaroi presidenti, ndaj duhet t’i kushtojmë më shumë rëndësi përpjekjeve për mbrojtjen dhe ruajtjen e gjuhës, dhe kulturës së minorancave. Kreu i Shtetit falenderoipërfaqësuesit e shtetit Italian për kujdesin dhe angazhimin e tyre për ta zbatuar sa më mirë në praktikë legjislacionin shumë të avancuar, në mbrojtjen dhe ruajtjen e kësaj kulture.

“Është shumë e rëndësishme të shtojmë të gjitha shkëmbimet dhe të institucionalizojmë bashkëpunime sa më të dobishme.  Së fundmi unë vizitova Plataçin, dhe jemi duke punuar për një Protokoll Bashkëpunimi me qeverinë rajonale të Kalabrisë, për të realizuar në të ardhmen një bashkëpunim në të gjitha fushat me këtë rajon. Jo vetëm në mbrojtje të kulturës dhe identitetit arbëresh, por edhe për ta shfrytëzuar atë për një rritje të marrëdhënieve ekonomiko-kulturore. Kemi realizuar binjakëzimin e kësaj komune me bashkinë e Gramshit dhe kemi iniciuar shumë binjakëzime të tjera mes bashkive tona dhe komunave Arbëreshe. Këto lidhje të drejtpërdrejta, do të rrisin ndjeshëm të gjitha shkëmbimet e përgjithshme. “, theksoi Meta.

Presidenti vëri në duke dhe mundësin për një lidhje direkte mes Tiranës dhe Lamecias.

Fakti që kemi kaq shumë lidhje, por edhe kaq shumë shkëmbime ekonomiko-tregtare, e bën edhe më interaktive një strategji më konkrete të forcimit të bashkëpunimit. Në këtë drejtim universitetet mund të luajnë një rol edhe më të rëndësishëm. Unë kam shumë besim se përpjekja jonë e përbashkët e cila nga Kazalvekio merr një dimension të ri për shkak edhe të memorandumit të mirëkuptimit që do të firmoset midis Kryetarëve të Bashkive. do t’i japë një përkrahje më të fortë përkatësisë, krenarisë dhe kulturës arbëreshe, por njëkohësisht bashkëpunimit midis dy vendeve tona, si dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë. “

Shqipëria ka vetëm një të ardhme, kjo e ardhme është në Europë. Identitetin dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë e ka përcaktuar Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Këtë identitet dhe këtë rrugëtim europian të kombit tonë e kanë ruajtur të paprekur në radhë të parë arbëreshët, deklaroi ndër të tjera Kreu i Shtetit.

Lini Nje Koment