Meta dorëzon sot padinë ndaj Ardian Dvoranit

Presidenti Ilir Meta do të dorëzojë në orën 14:30 në Prokurori kallëzimin penal ndaj Ardian Dvoranit, Kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, dhe përvetësimit të titullit apo detyrës shtetërore.

Presidenti bëri me dije se do të dorëzojë një kallëzim penal ndaj Dvoranit të premten në një konferencë për shtyp, i cili e akuzoi atë se në kundërshtim me statusin, “bën lojëra të tilla që të vendosë në pozitë kreun e Shtetit që të shkelë Kushtetutën me pahir”.

Meta tha se Dvorani kishte kryer një akt mafioz duke shkaktuar një gjendje antikushtetuese në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa Prokurorisë i kërkoi të hetojë të gjithë personat e përfshirë. Në mungesë të hetimit nga ana e prokurorisë, Kreu i Shtetit paralajmëroi se do të kërkonte hetim ndërkombëtar.

“Përndryshe do të ketë hetim ndërkombëtar dhe ndëshkim ndërkombëtar për këtë çështje. Sepse ka dy vjet që është sabotuar qëllimisht funksionimi i KED 2017-2018 për të ardhur këtu ky person i besuar i partisë të bëjë të gjithë këto veprime dhe manipulime kaq të qarta që do të sqarohen dhe më tej në ditët e ardhshme.”, deklaroi Presidenti.

Ardian Dvorani, Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi i dërgoi me 10 tetor 2019, Presidentit të Republikës, dy lista me nga 3 anëtarë te Gjykates Kushtetuese, prej nga ky i fundit do të zgjidhte dy anëtarët e tij. Ndërkohë, me 14 tetor, Parlamentit i dërgon po dy lista me nga tre kandidatë. Parlamenti u mblodh me urgjencë dhe zgjodhi kandidaturat duke mos respektuar rrregullin kushtetues për radhën. Falë kësaj skeme të përsosur të kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Arta Vorpsi u konsiderua automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese, çka solli dhe krizën në institucion.

Lini Nje Koment