Meta apel të fortë në 30-vjetorin e rënies së murit të Berlinit

Presidenti Ilir Meta ka kujtuar sot 30-vjetorin e rënies së murit të Berlinit. Përmes një video mesazhi në Facebook, Kreu i Shtetit shprehet se kjo ngjarje na kujton sot se duhet të ruajmë e të mbrojmë vlerat, për të mos u kthyer më kurrë në ato kohë.

“Rikthimi 30 vjet më parë, i lirisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në gjysmën e shtypur të Europës, na kujton sot se duhet të ruajmë dhe të mbrojmë këto vlera për të mos u kthyer kurrë më në ato kohë!”, shkruan Presidenti Meta në facebook.

Lidhur me këtë ngjarje historike ka reaguar dhe ish-presidenti Bujar Nishani, teksa shprehet se rënia e murit të Berlinit, përmbysi izolimin dhe poshtërimin e shqiptarëve pas afro 50 viteve të shtypur nga regjimi komunist. Ndërsa sjell në vëmendje se nga ana e “qeverisë së rilindasve të ish-bllokut komunist në Tiranë” nuk ka asnjë mirënjohje dhe reagim.

“30-vjetori i rënies së Murit të Berlinit, që hapi dhe dritën për përmbysjen e diktaturës, izolimit, varfërimit dhe poshtërimit të shqiptarëve pas afro 50 viteve komunizëm. Asnjë përkujtim, nderim e ceremoni mirënjohje prej qeverisë së rilindsve të ish bllokut komunist në Tiranë ! Presidenti Ronald Reagan, arkitekti i rrëzimit të kësaj mizerjeje në mes të Evropës. Një trashëgimi e shkëlqyer ! 🇦🇱✌️🇺🇸”. shkruan Nishani.

Muri i Berlinit, i ndërtuar në 1961 nga qeveria komuniste e Gjermanisë Lindore, synonte ndaljen e valës qytetare drejt perëndimit. Shembja e tij më 9 nëntor 1989, u pasua me një kryengritje duke krijuar sistemin demokratik perëndimor.

Lini Nje Koment