Kadri Veseli thirret në Gjykatën Speciale të Hagës

Gjykata Speciale me Hagë, do të marrë në pyetje, Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh ish-kryetar i Kuvendit, Kadri Veselin. Lajmin e bëri të ditur vetë ai gjatë një komunikimi me gazetarët, ku tha se ka marrë ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale.

Veseli ka thënë se do të merret në pyetje me datën katër dhjetor në Hagë dhe se do të mbajë përgjegjësi të plotë për të gjitha angazhimet e tij në kohën e luftës.

“Edhe ky proces duhet të ketë epilog, duke u bazuar në të vërtetën, faktet e drejtësinë, dhe që nuk e dëmton shtetin e Kosovës në pafundësi. Jam i bindur se edhe kjo Gjykatë do ta vërtetojë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe që do t’i ndalë goditjet ndaj të vërtetës së popullit tonë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” tha Veseli.

Një ndër të intevistuarit e Gjykatës ka qenë dhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili për këtë arsye dha dorëheqjen nga posti. Haradinaj tha se dëshironte që të shkonte pa asnjë status funksionari, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Lini Nje Koment