Hetimet ndaj Trump/ Një tjetër zyrtar i lartë dëshmon kundër në kongres

Një tjetër diplomat amerikan dëshmoi kundër Trump në Dhomën e Përfaqësuesve ku po zhvillohet hetimi ndaj tij. Referuar bisedës Trump-Zelensky, ku ndër të tjera përmendet edhe emri dhe roli  i ish-ambasadores amerikane në Ukrainë, kjo e fundit i tha Kongresit se është ndjerë dhe ende ndjehet e kërcënuar.

Në procesin hetimor që synon shkarkimin e Presidentit Trump, po shtohen emrat e zyrtarëve amerikan që dëshmojnë kundër  tij.   Ish-ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë, Marie Yovanovitch, pohoi para Kongresit se është ndjerë e kërcënuar, pasi është njohur me bisedën mes presidentit amerikan, Donald Trump, me liderin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në të cilën përmendet emri i saj. Ish e dërguara e posaçme e SHB në Ukrainë, është kthyer në qendër të diskutimeve në hetimet që po zhvillohen në Dhomën e Përfaqësuesve, të udhëhequr nga demokratët.

Trump në bisedën telefonike i ka thënë homologut Zelenski se “Yovanovitch do të kalojë nëpër disa gjëra”. Ish-diplomatja tha në kongres se nuk e ka të qartë se ç’ka dashur të thotë shefi i Shtëpisë së Bardhë me atë përkufizim.

“Nuk e di çfarë do të thotë kjo, por kam qenë shumë e shqetësuar dhe ende jam,” është shprehur Yovanovitch.

Kjo e dhënë doli në dritë pasi demokratët publikuan transkriptet e para të dëshmive që janë zhvilluar me dyer të mbyllura, në kuadër të hetimeve për Trumpin. Gjatë bisedës së zhvilluar më 25 korrik, mes Zelenskyt dhe Trump, ky i fundit e përshkruan ish-ambasadoren Yovanovitch si “lajm të keq”

Presidenti republikan po hetohet pasi dyshohet se ka tentuar t’i bëjë presion Ukrainës për të hetuar disa pretendime për korrupsion kundër rivalit të tij politik, Joe Biden dhe djalit të tij, Hunter, i cili ka punuar në një kompani gazi atje. Demokratët pretendojnë se përmbajtja e kësaj bisede, ka mjaftueshëm baza për të hetuar presidentin, duke mos përjashtuar edhe mundësinë për shkarkim të tij.

 

Lini Nje Koment