Bie marrëveshja, Irani rifillon aktivitetin e pasurimit të uraniumit

Irani bën hapa të tjerë pas në marrëveshjen ndërkombëtare për programin bërthamor. Presidenti iranian, Hassan Rohani njoftoi këtë të martë se ”vendi I tij do të rifillojë aktivitetet e pasurimit të uraniumit në uzinën e tij të Fordos, rreth 180 kilometra në jug të Teheranit, një proces i ngrirë që prej hyrjes në fuqi të marrëveshjes ndërkombëtare të Vjenës në vitin 2015”.

Duke i dhënë fund paktit, në fakt të cënuar vijimësisht, sidomos kohët e fundit, Rohani theksoi në një fjalim të transmetuar në televizionin shtetëror, se “Duke nisur nga nesër, ne do të fillojmë të injektojmë gaz në Fordo, duke iu referuar procedurës së përdorur për prodhimin e uraniumit të pasuruar.

“Bëhet fjalë për etapën e katërt të planit për reduktimin e angazhimeve iraniane përsa i përket programit bërthamor, filluar në maj në përgjigje të tërheqjes së SHBA-së”, theksoi Rohani.

Marrëveshja bërthamore që Irani kishte arritur me Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Kinën, Francën, Rusinë dhe Gjermaninë, i kërkonte Iranit të shndërronte uzinën Fordo, në një qendër kërkimore, ndërsa i lejohej atij që të përdorë dy nga gjashtë kaskadat e centrifugave pa uranium.

“Ne nuk mund të pranojmë një marrëveshje të njëanshme që ne t’i përmbushim plotësisht angazhimet tona dhe palër e tjera të mos I zbatojnë angazhimet e tyre,” tha lideri iranian. Megjithatë shtoi ai, vendimet e ndërmarra nga Irani janë të kthyeshëm nëse palët tjera të përfshira në marrëveshje, u përmbahen përkushtimeve për ta çliruar Iranin nga sanksionet ekonomike.

Një ditë para vendimit të Teheranit, Departamenti amerikan i Thesarit shpalli sanksione të reja kundër tij, duke rritur shkallën e sanksioneve të vendosura tashmë ndaj eksporteve të naftës së Iranit, bankave të tij, transaksioneve financiare dhe udhëheqjes ushtarake të Republikës Islamike.

Lini Nje Koment