Bie akuza, Prokuroria dorëzohet për çështjen “Basha”

Prokuroria e Tiranës ka pushuar çështjen për financimet ruse në SHBA për zgjedhjet e përgjithshme të 2017, akuzë e ngritur ndaj Lulzim Bashës. Bashkë me kryedemokratin janë edhe Arben Ristani, ish-sekretari i përgjithshëm i PD, dhe Ilir Dervishi, financier i PD. Pavarësisht se zyrtarët e PS-së pretendonin se me këtë hetim do të zbuloheshin afera lobimi dhe financime të huaja, prokurorët e kanë hedhur poshtë këtë akuzë.

PD në një reagim zyrtar, shprehet se ditën e sotme u vërtetua se nuk ka patur asnjë hetim në SHBA as ndaj Partisë Demokratike, as ndaj kompanisë së lobimit, as ndaj ndonjë zyrtari të kësaj force, duke e konsideruar këtë një sajesë të Edi Ramës për të fshehur hetimin që po bëhej ndaj tij në SHBA.

“E vërteta është se ishte Partia Demokratike që i kërkoi Prokurorisë hetimin e plotë dhe të gjithanshëm të financave dhe shpenzimeve të saj, e bindur se ka vepruar në përputhje të plotë me ligjin. Partia Demokratike ka deklaruar që ditën e parë se kjo akuzë u sajua nga Edi Rama për të zhurmuar skandalet korruptive të Qeverisë së tij dhe lidhjet me krimin e organizuar.

“Në të vërtetë, në SHBA ka patur vetëm një hetim që lidhet me Shqipërinë dhe që ka përfunduar me dënimin e të paktën 2 personave, mbi financimin e paligjshëm të Edi Ramës, deklaron PD.

Por edhe pse faktet lidhur me këtë çështje janë bërë publike, edhe pse është depozituar kallëzim penal nga opozita, edhe pse dosja e drejtësisë amerikane është e plotë, edhe pse avokatët e personave të dënuar deklaruan që kanë vepruar për llogari të Edi Ramës, prokuroria shqiptare nuk ka kryer asnjë veprim.

 

 

Lini Nje Koment