Armë ruse e kineze në Serbi, Haradinaj paralajmëron: Rrezik për Kosovën e rajonin

Asaj që i frikësohet Perëndimi, në fakt po ndodh në Ballkanin Perëndimor. Rusia dhe Kina po shtrijnë ndikimin e tyre në rajon, sidomos nëpërmjet Serbisë, bazës së tyre tradicionale. Ky shqetësim, për të disatën herë është përcjellë edhe nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Duke iu referuar disa zhvillimeve të ditëve të fundit në rajon, Haradinaj thotë se “armatosja e vazhdueshme e Serbisë me pajisje ushtarake nga Rusia dhe Kina, është kërcënim i drejtpërdrejtë për Kosovën, paqen e brishtë në rajon, si dhe perspektivën Euro-Atlantike”. Në një postim në faqen e tij në Facebook, kreu i ekzekutivit në largim, i bën thirrje Serbisë të ndalë këtë çmenduri, para se të bëhet vonë!”

Ditë më parë Rusia dërgoi në Serbi dy sisteme moderne të mbrojtjes nga ajri, për të cilat u tha se do të përdoren për një manovër të përbashkët luftarake në Ballkan. Bëhet fjalë për sistemin e mbrojtjes kundërajrore S-400, me të cilat po pajiset edhe Turqia, dhe raketat e lëvizshme për mbrojtjen nga ajri të tipit Panzir. Ministria ruse e Mbrojtjes, tha se këto sisteme vihen në provë për herë të parë gjatë një manovre jashtë Rusisë. Që nga muaji shtator ushtria ruse dhe ajo serbe kanë zhvilluar manovra të përbashkëta stërvitore në Ballkan.

Ministria serbe e Mbrojtjes, bëri me dije se në këtë manovër do të simulohen aksionet e një grupi të përbashkët luftarak për mbrojtjen kundër masave armiqësore të zbulimit dhe offensives. Strategjia e Rusisë është të pengojë integrimin evropian dhe në NATO, të vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe këtë objekt e ka më të lehtë ta arrijë përmes aktorëve lokal, siç është Serbia. Konfliktet mes vendeve të këtij rajoni, janë gostia më e pasur për oreksin e Moskës në Ballkan. BE dhe SHBA së fundmi kanë rritur shkallën e ndërgjegjësimit se, nëse nuk investohen në Ballkan, mund ta humbasin atë.

Në Europë, Gjermania është vendi që po tregon vëmendjen dhe interesin më të lartë në këtë drejtim. Madje, Berlni ka luajtur rol vendimtar për mbylljen çështjes së shumpërfolur të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë, ndër të tjera edhe, për të mos hapur konflikte të reja në Ballkan që më së shumti do t’i shërbenin Rusisë. Nxjerrja e jashtë Ballkanit e Rusisë, është mision primar edhe i të dërguarve të posacëm të Departamentit të Shtetit dhe presidentit amerikan në rajon.

Ndërsa Kina ka zgjedhur një tjetër formë influence, atë përmes investimeve strategjike në ekonomi. Kohë e fundit qeveritë e Serbisë dhe Malit të Zi, vendosën të vazhdojnë ndërtimin e një autostrade që lidh bregdetin malazez me Beogradin, duke u financuar nga një kredi kineze. Marrja e huasë e çoi borxhin publik të Malit të Zi në nivele alarmante. Gjithashtu, sipërmarrja shtetërore kineze “China Road and Bridge Corporation”, këtë vit fitoi tenderin për ndërtimin e urës së Pelješac-it që lidh dy pjesë të Kroacisë, një projekt ky që do të kushtojë 420 milionë euro. Ehe pse 85 përqind e këtij fondi vijnë nga BE, tenderi u fitua nga Kina.

Për t’i shërbyer një imazhi pozitiv në Europë, koorporata kineze, përveç çmimit të lirë, është zotuar se do ta përnfundojë këtë ndërtimn gjashtë muaj para afatit të parashikuar në tender. Në prill të këtij viti në Kroaci u zhvillua takimi 16+1, që synon të rrisë ndikimin ekonomiko-politik të Kinës në Evropë.

Lini Nje Koment