Raporti i misionit të Be/ Zgjedhjet demokratike, por jo në komunat serbe

Misioni i BE, që vëzhgoi zgjedhjet e 6 tetorit, i vlerësoi ato transparente dhe demokratike, kudo në Kosovë, përjashto komunat e banuara me shumicë serbe. Në raportin e publikuar nga kryesuesja e misionit gjatë një konference për shtyp, thuhet se në rajonet ku jetojnë serbët, u shkelën standardet, nga presioni për të votuar Listën Serbe.

BE e vlerëson procesin zgjedhor të 6 tetorit në Kosovë, të administruar mirë, transparent dhe demokratik.

Në një konferencë për shtyp, kryesuesja e misionit të BE-së, Viola von Cramon, foli për mirëorganizim nga ana e strukturave përgjegjëse për procesin zgjedhor, por gjithashtu vuri në dukje edhe shkeljen e standardeve në komunat e banuara nga serbët. Në këto rajone, tha europarlamentarja, janë cenuar standardet ndërkombëtare, pasi ka pasur frikësime dhe presion, për t’i orientuar votat nga Lista Serbe, e vetmja forcë politike që përfaqëson serbët në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit.

“Zgjedhjet  parlamentare, ishin të mirë administruara dhe transparente. Misioni vëzhgues e ka vlerësuar pozitivisht procesin e votimit. Fushata ishte e gjallë. Dita e zgjedhjeve ishte e rregullt dhe e qetë. Vlerësimi i përgjithshëm ishte pozitiv. KQZ bëri transparencë të procesit, cka ishte tipari kyç i institucionit administrues zgjedhor”, vuri në dukje kryesuesja e misonit vëzhgues. “Por, vijoi ajo, në trevat ku jetojnë serbët, u cenuan dhe frikësuan ata që nuk ishin me Listën Serbe. Procesi për serbët e Kosovës, nuk i përmbushi standardet ndërkombëtare”

Përfaqësuesja e BE raportoi gjithashtu se edhe liria e medias u respektua plotësisht në këtë proces zgjedhor.

Shkelja e standaredeve zgjedhore në komunat me shumicë serbe në Kosovë ishte paralajmëruar gjatë gjithë fushatës elektorale nga liderët e partive serbe që garuan nën siglën e koalicionit “Sloboda”.  Kandidati për kryeministër i këtij grupimi partiak, Nenad Rasic, i deklaroi hapur në mediat e Kosovës shqetësimet e tij për presionet nga Beogradi zyrtar, sic tha ai nën dirigjimin e treshes Vuicic-Dacic-Gjuric. Presioni dhe kërcënimet iu ishin drejtuar liderëve të partive serbe, që nuk kanë mbështetjen e Beogradit dhe zgjedhësve të komunitetit serb, për të votuar vetëm Listën Serbe. Në raportin e misionit të vëzhguesve të BE, që u prezantua këtë të martë,  megjithëse kontsatoheshin shkeljet që dëmtuan rëndë standardet zgjedhore në komunat me shumicë serbe, nuk flitej për burimin dhe autorësinë e shkelësve.

 

 

Lini Nje Koment