Ofensivë turke në Siri, Erdogan bën bilancin dhe kërcënon Europën

Ndërkohë që po zhvillohen luftime të ashpra midis trupave turke dhe luftëtarëve të Forcave Demokratike Siriane, në zonat kuftare midis dy vendeve, Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka mohuar që Shtetet e Bashkuara t’i kenë dhënë Turqisë “dritën e gjerbër” për ofensivën në Siri. Pompeo ka mbrojtur vendimin e presidentit Donald Trump, i cili ka hasur në kundërshti të fortë të demokratëve, të disa republikanëve dhe BE-së, për të tërhequr trupat amerikane nga Siria Veriore. Pompeo ka thënë se raportimet sikur SHBA kanë lejuar Turqinë të nisë ofensivën “janë spekulime”.

Ndërkohë, Ministria turke e mbrojtjes, njoftoi mëngjesin e së enjtes se forcat tokësore turke kishin përparuar drejt zonave të luftëtarëve kurdë në veri të Sirisë. Ministria e Mbrojtjes gjithashtu publikoi një video të komandove në veprim. Trupat turke dhe aleatët e tyre rebelë sirianë pushtuan veri-lindjen e Sirisë të mërkurën, duke filluar aksionin e paralajmëruar. Më parë, avionët luftarakë dhe artileria turke po synonin pozicionet e luftëtarëve kurdë në një operacion ushtarak ndërkufitar, vetëm disa ditë pasi trupat amerikane u tërhoqën nga zona.

Mediat raportojnë se 15 civilë u vranë dje, ndërsa presidenti turk Erdogan bëri me dije gjatë një konference për shtyp se deri në mesditë ishin neutralizuar 109 terroristë. Duke pretenduar se kritikët e tij nuk po tregohen të sinqertë lidhur me ndërhyrjen ushtarake turke në Siri, Erdogan kërcënoi se nëse vendet evropiane e etiketojnë inkursionin ushtarak të Turqisë në Siri si një okupim, ai do të hapte dyert për 3.6 milion refugjatë sirianë që ndodhen aktualisht në Turqi, e që do t’i drejtoheshin më pas Europës.

Ushtria turke ka goditur 181 objektiva militantësh me sulme ajrore. Ndërsa forcat kurde në verilindje të Sirisë kanë arritur të zmbrapsin sulmin tokësor turk, njoftoi në Tëitter, Mustafa Bali, zëdhënës i Forcave Demokratike Siriane. Me anë të një sulmi ajror forcat turke mësohet se kanë goditur një burg, ku mbahen militantët e ndaluar të Shtetit Islamik.

Lini Nje Koment