Marrëveshja Rama-Vuçiç, Alfons Zeneli: Akt tradhëtie ndaj Kosovës

Editorialisti Alfons Zeneli i ftuar në Shijak TV foli për procesin e krijimit të mini Shengenit në Ballkanin Perëndimor, i cili u diskutua sot në Novi Sad të Serbisë mes Ramës, Vuçiçit dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut. Zeneli tha se një ide e tillë, e shtrirë që nga koha e Titos dhe Enver Hoxhës, është një tradhëti kombëtare për të krijuar një klimë antieuropiane në mes të Ballkanit.

“Kjo është një ide e vjetër e inicuar, por që në mënyra të ndryshme iu është servirur udhëheqësve të majtë që janë më të prirur për të rënë pre e Lindjes dhe kjo ka ngjarë me kryeministrin Rama. Rama e ka çuar vetë punën në këtë gradë saqë ai tani thotë që Europa nuk na do. Këtë e ka deklaruar bashkë me Vuçiç.”, tha ai në studion e Shijak Televizion.

I pyetur nëse Rama duhet të ishte konsultuar me ndërkombëtarët për të ndërmarë këtë hap, ai tha se kreu i qeverisë nuk e mendon diçka të tillë sepse sipas tij ‘një diktatori të sëmurë nuk i duhet e arsyeshme dhe e nevojshme ta bëjë këtë.’ Për këtë thotë Zeneli, shqiptarët dhe qeveria e re e Kosovës, të gjendur përballë një tradhëtie, duhet të reagojnë masivisht për të hedhur poshtë këtë marrëveshje.

Prandaj qeveria e Albin Kurtit nëse do të hapë siparin e veprimtarisë së së qeverisë së re duhet të reagojë fuqimisht ndaj maskaradës që organizon Rama dhe Vuçiç në Beograd.”, u shpreh Zeneli.

Ndërhyrje të forta do të ketë dhe nga zyrtarët e SHBA-së, për të ndaluar avancimin e projektit, tha Zeneli ndërsa shtoi se shqetësimi i shprehur në mënyrë të hapur, sidomos nga SHBA-ja përmes diplomatëve ka qenë shqetësimi madhor i rritjes së ndikimit ruso-kinez dhe turk për shkak të vakuumit që po krijohet në rast të mos hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Lini Nje Koment