Ikën Sekretari i Sigurisë, nuk përkrahte politikat e emigracionit të Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi të shtunën dorëheqjen e sekretarit në detyrë të Sigurisë Kombëtare, Kevin McAleenan. Trump tha se “McAleenan ka bërë një punë të jashtëzakonshme si ushtrues i kësaj detyre dhe se ai dëshiron të kalojë më shumë kohë me familjen e tij dhe të punojë në sektorin privat”.

Trump bëri me dije se do të shpallë emrin e ushtruesit të ri të kësaj detyre javën që vjen dhe për këtë ka “shumë kandidatë të mrekullueshëm”. McAleenan e mori këtë post në muajin prill të këtij viti, pas dorëheqjes së ish-sekretares Kirstjen Nielsen, duke u bërë personi i katërt që drejtoi departamentin në vetëm dy vjet.

Gjatë mandatit të tij, McAleenan paraqiti disa nisma për të zvogëluar valën e emigrantëve në kufirin ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. Megjithatë është kritikuar nga mbështetës të Presidentit, se nuk kishte përkrahur mjaftueshëm politikat e migracionit dhe retorikën e Trump për këtë çështje.

Lini Nje Koment