Franca vulos ‘JO’-në: Nuk jeni gati për negociatat, flasim në 2020

Edhe Franca pozicionohet kundër hapjes së negociatave këtë vit për Shqipërinë, por edhe me Maqedoninë e Veriut. Një ndër vendet lider të BE-së Franca, mësohet se ka informuar partnerët europian, se është kundër fillimit të negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Lajmi u konfirmua nga burime diplomatike franceze për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Negociatat nuk mund të hapen në Tetor 2019. Do të duhet të rivlerësojmë situatën diku në vitin 2020″, citohet të ketë thënë prerë burimi. Parisi mendon se BE përballet me shumë sfida tani për të pranuar dy shtete të tjera nga Ballkani, një rajon që ende vuajnë pasojat e luftërave të ’90 dhe mbeten ende në luftë me krimin dhe korrupsionin. “Ata nuk janë akoma gati. Ne po u kërkojmë atyre të bëjnë përpjekje shtesë“, tha një zyrtar francez.

Një tjetër diplomat nga një vend i gatshëm të hapë dyert për kandidatët e Ballkanit Perëndimor, i tha Reuters se “Besueshmëria jonë është në diskutim. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë shumë, por mbetet shumë më tepër për të bërë. Hapja e bisedimeve për anëtarësim është vetëm hapi i parë, pasi procesi do të zgjasë me vite dhe ata do të duhet të plotësojnë të gjitha kriteret para se të lejohen”.

Burimet thanë se Holanda dhe Danimarka ishin gjithashtu qartë kundër ofertës së Shqipërisë, vendim ky i ambasadorëve të BE, në takimin me dyer të mbyllura të së enjtes, për këtë cështje. Por theksohet se Holanda, ka sinjalizuar fleksibilitet të mundshëm për Maqedoninë e Veriut. Reuters vë në dukje gjithashtu mbështetjen e gjysmës së vendeve të BE, për çeljen e bisedimeve për të dyja vendet, bazuar edhe në argumentin se refuzimi i tyre do të krijonte një “vakum”.

Lini Nje Koment