Balla merr AKU-në/ Miqtë e deputetit kontrollojnë sigurinë ushqimore

Qeveria i heq të drejtën laboratorëve shtetëror të AKU-së të kryejnë kontrollin e cilësisë ushqimore dhe ia kalon aktivitetin kompanisë private, “Noval Laboratory”, në pronësi të mikut të vëllait të Taulant Ballës. Sakaq qeveria ka shkarkuar të mërkurën drejtorin e përgjithshëm të AKU-së Agron Hetoja dhe në vend të tij ka emëruar mikun e Taulant Ballës, Robert Lilin. Taulant Balla, numri dy i Partisë Socialiste merr në dorë AKU-në, Autoritetin Kombëtar të Ushqimit. Drejtori i Përgjithshëm i këtij Institucioni, Agron Hetoja është shkarkuar të mërkurën nga detyra dhe në vend të tij është emëruar drejtuesi i ri, Robert Lili. Ndërkohë, Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi, ka fimosur një urdhër, sipas të cilit, kontrolli i cilësisë ushqimore në vend do të kryehet nga operatori privat “Noval Laboratory”, pronari i të cilit, siç mësohet nga mediet, është mik i vëllait të Taulant Ballës dhe ka lidhje të forta me deputetin Tom Doshi, si edhe me ish-prefektin socialist të Shkodrës, Paulin Radovani. Edhe drejtori i ri Robert Lili, që lë detyrën e drejtorit të OSHEE-së së Gjirokastrës, siç duket në faqen e tij në FB, është njeriu i Taulant Ballës. Përveç fotove familjare në profilin e Lilit shihen edhe foto të tij me Taulant Ballën, ku reflektohen marrëdhënje të ngushta miqësore. Urdhëri i ministrit Çuçi, autorizon kompaninë private “Noval Laboratory” që të kryejë analizat e mostrave të ushqimeve të marra gjatë kontrolleve të inspektorëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, duke i hequr kompetencën institucionit shtetëror.
“Noval Laboratory”, është kompani e krijuar në Korrik të vitit 2018, me ortak të vetëm Petrit Maho. Biznesmeni Maho rezulton të jetë pronar dhe aksioner kryesor edhe në disa kompani të tjera, kryesisht në fushën e farmaceutikës dhe kozmetikës. Maho, në vitin 2013, krijon raporte biznesi me Paulin Radovanin, i cili, në Tetor të atij viti, emërohet Prefekt i Qarkut të Shkodrës, me firmë të kryeministrit Edi Rama. Radovani ishte aksioneri kryesor i “Radofarma depo veterinare”, e krijuar në vitin 2011, e cila më pas u emërtua “Medica-Vet”. Në vitin 2005 ai zgjeron aktivitetin e tij, duke qenë aksioneri kryesor i shoqërisë “Noval”, ndërsa në vitin 2013, para se të merrte postin e prefektit të Qarkut Shkodër, vendos t’ia shesë kompanitë e tij, pikërisht Petrit Mahos.

Lini Nje Koment