Antarësimi në Interpol, Kosova rrezikon dështimin falë suksesit serb

E përqendruar në zhvillimet e brendshme politike, të dominuara së fundmi nga fushata e më pas procesi zgjedhor, Kosova nuk është angazhuar sa duhet në lobimet për të siguruar votat e duhura për tu antarësuar në INTERPOL. Në Asamblenë e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë, që do të mbahet të martën e ardhshme në Kili, do të testohet edhe një herë potenciali i diplomacisë së Kosovës, por edhe i Serbisë, e cila nuk ka ndërprerë për asnjë moment fushatën antiintegrim ndaj Kosovës.

Ekspertë të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare shprehen skeptik se Kosova mund t’ia dalë të pranohet edhe kësaj radhe në Interpol. Në kushtet e pasigurisë dhe punës së dobët të bërë nga ministria e Jashtme për këtë synim, ekspertët janë të mendimit se aplikimi për antarësim ndoshta duhej shtyrë deri në një fazë tjetër, të një përgatitjeje më serioze. Sakaq Ministri i Brendshëm serb, por dhe ai i Punëve të Jashtme, thanë se do të bëjnë luftë të ashpër që Kosova të mos behët pjesë e kësaj organizate.

Për tu pranuar në INTERPOL Kosovës i duhet vota e dy të tretave të shteteve anëtare, e thënë ndryshe nga 194 vende, duhet të sigurohen mbi 120 vota. Në Asamblenë e Përgjithshme të Interpol që u mbajt, në Dubai nëntorin e kaluar, Kosova mori mbështetjen e vetëm 68 vendeve anëtare.

Prej një viti e gjysmë Kosova nuk ka arritur asnjë njohje të re.Ajo është njohur nga 116 shtete, por disa prej tyre kanë deklaruar se po e rishikojnë vendimin. Por, sipas të Drejtës Ndërkombëtare Publike, njohja është akt i njëanshëm juridik, ndërkombëtar, i parevokueshëm, që nënkupton se ajo nuk mund të tërhiqet.

Lini Nje Koment